2011-11-16 10:01:15

Më 16 nëntor kujtojmë Atë Zef Valentinin në 32 vjetorin e vdekjes.


Atë Zef Valentini, jezuit, lindi në Padovë më 1 korrik 1900, ishte vetëm 20 vjeç, kur shkoi për herë të parë në Shqipëri si misionar jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932 ishte mësues në Kolegjin e mirënjohur Saveriane të Shkodrës, prandaj vepra e tij e parë, shkruar shqip e italisht, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”.
Më pas Atë Valentini shkroi biografinë e Garcia Moreno-s dhe nisi një sërë përkthimesh të autorëve të njohur botërorë në gjuhën shqipe. Paralelisht u muar me studime historike dhe letrare. Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistat e jezuitëve “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA”.
Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Vdiq në Palermo më 16 nëntor 1979.
Për kontributin e madh që misionari jezuit Atë Zef (Giuseppe) Valentini dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”.
Të njihemi me veprat e Atë Zef Valentinit, rregulltar jezuit.
Po kujtojmë disa nga veprat e Atë Zef Valentinit, që meritojnë të njihen nga të gjithë shqiptarët dashamirë të kulturës:
“Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”;
“Biografi e Garcia Moreno-s”;
“Polieucte” e Kornejt (përkthim);
“Sauli” i Alfieri-t (përkthim)
“Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Kordinjanon);
“E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956);
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969);
“E drejta juridike shqiptare”;
“Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”;
Revista “Letture” (themeluar prej tij në vitin 1946-n në Itali);
“Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin);
“Fishta” (studim për Gjergj Fishtën), në të cilin jezuiti Valentini e quan françeskanin Atë Fishta: “Homeri shqiptar, poet i madh kombëtar e një nga poetët epikë më të mëdhenjtë në botë”.
Në revistën zëmadhe të Ernest Koliqit, “Shêjzat”, Atë Zef Valentini botoi mbi njëqind artikuj e studime, që japin ndihmesën në të gjitha fushat e kulturës. Në gjuhësi, vlen të përmendim “Fjalorin shqip - italisht”, vepër madhore, që na paraqitet te revista, por që në tërësi mbeti e pabotuar; si dhe studimin “Toponomastika shqiptare”.
Në letërsi kujtojmë studimin me vlerë “E ardhshmja e letërsisë shqipe” (n.23,vj.I, sht. tet., 1957) që pasqyron në vija të përgjithshme zhvillimin e letërsisë në gjuhën shqipe, si dhe studimet mbi figura madhore të saj nga Buzuku, te De Rada, Petrota, Xanoni, Fishta e Koliqi.
Në histori bien në sy studimet :“Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”; “Për një histori të Shqipnisë” (n.1-2, 1959) “Lidhjet e Kastriotit me papatin në luftën kundër turqve” (Vj.III, n.5-6, 1959, fq.210); e studime të tjera për momentet kyçe të historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve në rrjedhë shekujsh.
Në revistën italiane të Etërve Jezuitë ‘La Civiltà Cattolica’ të vitit 1929, vëllimi II, III, IV boton shkrimin mbi historinë e “Manastiret apo kuvendet e lashta Benediktine dhe meritat e tyre shoqërore në Shqiprëri”.
Kujtojmë se vetëm në revistën e njohur të Ernest Koliqit “Shêjzat”, botoi mbi njëqind artikuj e studime, që japin ndihmesën e vet në të gjitha fushat e kulturës. Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën e vërtetë shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë bërë.
Pavarësisht nga polemikat e kundërshtimet, kohët e fundit në Shqipëri është botuar përmbledhja “At Giuseppe (Zef) Valentini, Vepra”, kushtuar veprimtarisë së rregulltarit jezuit me kulturë e talent të rrallë, që e shkriu gjithë jetën për një vend, i cili do ta dëbonte si të padëshirueshëm, në kulmin e misionit të tij fetar e kulturor. Vepra, që u përgatit nga prof.dr Ksenofon Krisafi, Ndriçim Kulla dhe Dritan Thomollari, nisi të botohej nga ‘Plejad”, në vitin 2005.







All the contents on this site are copyrighted ©.