Me 16 nëntor kalendari kujton shën Margeritën e Skocisë.
Margerita e Skocisë lindi në mërgim, pranë oborrit mbretëror të shën Shtjefnit të
Hungarisë, më 1046. Ishte bija e Eduardit mërgimtar dhe e Ages, motra e mbretëreshës
hungareze dhe mbesa e mbretit Edmondi II. Në vitin 1054, së bashku me familjen,
u rikthye në atdhe pas pushtimit të Anglisë nga normanët. Gjeti strehim në Skoci,
pranë oborrit mbretëror të Malkolmit III, me të cilin u martua në vitin 1069. Menjëherë
pas martesës nisi të ndjehet fuqimisht ndikimi i saj në oborrin mbretëror skocez.
Falë kulturës të jashtëzakonshme dhe këshillave të vlefshme që i jepte të shoqit,
vendi nisi të përparonte dukshëm. Nën mbrojtjen e saj u bënë disa reforma liturgjike,
u ndërtua abacia e Trinisë në Dunfermlin, u rivendos praktika e agjërimit kreshmor
dhe e kungimit për Pashkë. Nga martesa me Malkolmin III pati gjashtë djem e dy
vajza, të cilëve u dha një edukatë thellësisht të krishterë. Tre prej djemve do të
bëheshin mbretër të Skocisë. E ndërsa përballonte punën për edukimin e fëmijëve e
kujdesej për oborrin mbretëror, ajo nuk i harroi kurrë të varfrit, të vuajturit, të
sëmurët e jetimët. Prandaj nënshtetasit e deshën shumë. Në vitin 1093 iu desh të
përballojë një humbje të madhe: i vdiq bashkëshorti, Malkolmi III dhe trashëgimtari
i tij, djali i madh, Eduardi, që u vranë në një pritë pranë Alnvikut. Duke mos mundur
ta përballojë dhimbjen e thellë, mbretëresha u sëmur e vdiq pak kohë pas tyre. U varros
në një varr me mbretin në abacinë e Dunfermlinit, ndërtuar prej saj. Shumë shpejt
varri i mbretëreshës u bë cak shtegtimesh. U shpall shenjte në vitin 1249 nga Papa
Inoçenci IV, ndërsa Pajtore e Skocisë, në vitin 1673.