2011-11-15 16:16:24

Presidenti Topi priti sot Kryetarin e Këshillit Papnor të Kulturës, kardinalin Xhanfranko Ravazi.


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Presidentin e Këshillit Papnor për Kulturën, Hirësinë e Tij, Kardinalin Xhanfranko Ravasi, i cili ndodhet në Shqipëri, në kuadër të organizimit të ditës së takimit të “Oborrit të Paganëve”, që organizohet nga Selia e Shenjtë, përmes Këshillit Papnor për Kulturën, në Tiranë. Në takim ishin të pranishëm edhe Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në vendin tonë, Imzot Ramiro Moliner Ingles si dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit.
Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kardinalin Ravasi, duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë njerëzor dhe institucional me Selinë e Shenjtë. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se shqiptarët i janë mirënjohës Selisë së Shenjtë për mbështetjen e sinqertë ndaj aspiratave për përparimin e vendit dhe integrimin me të drejta të plota në Bashkimit Evropian.
“Shteti dhe gjithë shoqëria shqiptare vlerësojnë kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të traditës së marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare në vend. Po ashtu, shoqëria shqiptare i është mirënjohëse Kishës Katolike për veprimtarinë e saj sociale, sidomos në fusha të tilla si: ndihmat humanitare, veçanërisht në situata të vështira e në raste fatkeqësish, në arsim e përgatitjen profesionale të të rinjve, në shëndetësi, etj.”, - u shpreh Presidenti Topi.
Pasi u ndal në faktin se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfetare në Shqipëri po bëhen përherë e më të njohura dhe të vlerësuara në botë, si një vend model dhe i veçantë në këtë drejtim, Presidenti Topi ripërsëriti ftesën për Shenjtërinë e Tij, Papa Benediktin XVI për të vizituar vendin tonë në funksion të rritjes dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë dhe traditës së pasur e historisë së katolicizmit në Shqipëri.
Nga ana e tij, Kardinali Ravasi shprehu gjithashtu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, duke vlerësuar përparimet e mëdha që ka bërë vendi ynë gjatë dekadave të fundit si dhe duke vënë në dukje vlerat e pamohueshme të shoqërisë shqiptare me tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën shumëshekullore fetare. Hirësia e Tij, Kardinali Xhanfranko Ravasi theksoi nevojën e rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, në atë akademike, mes universiteteve dhe bibliotekave të dy vendeve tona duke theksuar aspektin e ndërveprimit dhe ndërthyerjen harmonike të kulturës tonë me aspektin e bashkëjetesës fetare.
Marrë nga gazeta “Sot”







All the contents on this site are copyrighted ©.