Më 15 nëntor kalendari kujton shën Albertin e Madh.
Shën Alberti, filozof e teolog, studiues i palodhur në kërkim të pikave të takimit
ndërmjet shkencës e fesë, domenikan, doktor i skolastikës, dha mësim ndër katedrat
më të shquara të kohës e, në universitetin e Këlnit, themeluar prej tij, pati nxënës
Shën Tomën e Akuinit. Lindi rreth vitit 1200 në Lauingen të Bavarisë. Njeri fisnik
në trup e në shpirt, ishte i paracaktuar të ndiqte karrierën ushtarake e politike,
duke ecur kështu në rrugën e traditës familjare. Por ai dëshironte më shumë të rrinte
gjithë ditën mbi libra, sesa të rrokte armët e të ushtrohej në artin e luftës. Dëshira
për studim iu thellua edhe më shumë, kur familja u transferua në Itali së bashku me
mbretin Federiku II. Ndërsa frekuentonte universitetin e Padovës, ku thellohej
në shkencat natyrore, u njoh me të Lumin Jordanin e Saksonisë, epror i dytë i përgjithshëm
i Domenikanëve, menjëherë pas Shën Dedës, që kishte shkuar në Padovë për t’u predikuar
studentëve universitarë. Vendosi ta ndiqte, së bashku me nëntë studentë të tjerë,
pasi mori nga duart e tij zhgunin domenikan. Vijoi studimin e u bë një nga njerëzit
më të ditur të kohës, njohës i të gjitha degëve të kulturës deri në atë shkallë, sa
të quhej Doktor universal e të meritonte titullin ‘i Madh’ që më të gjallë. U
zgjodh provincial i Domenikanëve në Gjermani e më pas, ipeshkëv i Regensburgut, mision
nga i cili u largua për t’iu rikushtuar mësimdhënies e predikimit. Qe ndërmjetës e
lajmëtar i paqes ndërmjet popujve e, në Koncilin e Lionit, dha kontributin e dijes
së tij për bashkimin e Kishës greke me atë latine. Ndonëse në moshë të shkuar,
ngjitej me shkathtësi djaloshare në katedër, por një ditë, ashtu si e kishte paralajmëruar
Virgjëra Mari, për të cilën kishte devocion të posaçëm, kujtesa e tij papritmas u
shua. Atëherë hoqi dorë nga dija e tokës e nisi të shikonte vetëm drejt qiellit, për
ku u nis më 15 nëntor 1280. Trupi i tij pushon në paqe në kishën famullitare të
Shën Andreut në Këln. U shpall i Lum nga Papa Gregori XV në vitin 1622; Shenjt e Doktor
i Kishës nga Piu XI, në vitin 1931; Pajtor i studiuesve të shkencave natyrore nga
Piu XII, më 16 dhjetor 1941.