2011-11-14 12:46:51

“Oborri i jobesimtarëve" mbërrin sot në Tiranë


Sot mbërrin në Tiranë “Oborri i jobesimtarëve”, nismë e krijuar nga Këshilli Papnor për Kulturën për të favorizuar takimin dhe dialogun ndërmjet besimtarëve e jobesimtarëve, kësaj radhe për dy ditë në kryeqytetin e Shqipërisë mbi temën: “Në çfarë beson ai që nuk beson?”.
Besimtarët dhe jobesimtarët do të takohen në Tiranë për të dialoguar.
Kështu nga dita e sotme me 14 deri më 16 nëntor ky takim do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar me temë: “Në çfarë beson ai që nuk beson?”: pyetje që është titull i një libri të vogël që përmbledh letërkëmbimin mes kardinalit Carlo Maria Martini dhe shkrimtarit Umberto Eco, “bashkëbisedim” i realizuar në faqet e gazetës Liberal në vitin 1995.
Në Tiranë do të takohen personalitete të botës kulturore dhe politike – që i përkasin besimeve të ndryshme ose nuk i përkasin aspak – për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje dhe të tjerave në lidhje me identitetin e veçantë fetar dhe me përshpirtërinë e popullit shqiptar.
Çfarë është oborri?
“Oborri” është një hapësirë e hapur e përhershme për dialogun mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, që lind me dëshirën e vetë Papës Benedikti XVI dhe realizohet nga Këshilli Papnor ii Kulturës. Kjo hapësirë e merr emrin nga oborri me të njëjtin emër që në Tempullin e lashtë të Jerusalemit, mirëpriste jo hebrenjtë, besimtarë të feve të tjera, agnostikë. Në zanafillë Oborri i jobesimtarëve, ishte një hapësirë për të gjithë, e ku të gjithë mund të hynin lirisht, pavarësisht nga kultura, gjuha apo përkatësia fetare. Ishte, pra, një zonë takimesh e shumëllojshme. Ky “oborr” nuk duhet parë si një vend përballjeje institucionale, përkundrazi, është një vend për dialog, shkëmbim të thellë e të ndërsjellë mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Dhe, siç ka shpjeguar kardinali Ravasi: ‘Takimet janë dhe do të jenë gjithnjë në një nivel mesatar të lartë dhe të kualifikuar të dialogut dhe do t’i kushtohen urgjencave të thella të njerëzimit’. Kemi besim se gjatë dialogut këto tema do të thellohen duke përftuar gjithnjë e më tepër formulime të reja dhe një veçanti të re; dhe mbi të gjitha që, kërkimi vërtet i bashkëndarë, të mund të zgjerojë hapësirën vetjake të vizionit dhe vetëdijes.
Programi i takimin që mbahet në Tiranë takim i ri në kuadër të “Oborrit të jobesimtarëve”
Takimet e ndryshme do të mbahen në oborrin ngjitur me katedralen e shën Palit dhe pastaj në Universitetet Shtetërore, Evropian dhe Katolik të Tiranës. Takimi organizohet nga Këshilli Papnor i Kulturës në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë dhe Nunciaturaën Apostolike në Tiranë, që kanë formuar një komitet organizues përbërë nga shprehje të ndryshme të lëvizjeve kishtare laike të pranishme në Shqipëri (Lëvizjet e Fokolarëve, Bashkim e Çlirim, Komuniteti e Shën Egjidit dhe i Taizés e tjera. Takimi me krerët e komuniteteve fetare të njohura zyrtarisht në Shqipëri u bë i mundur falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Komunitetet në nivelet më të. Ky takim zhvillohet edhe me përkrahjen e ministrit të turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve, të kryetarit të bashkisë të Tiranës dhe me kontributin e shumë mbështetësve.

Ditën e hënë, më 14 nëntor, do të mbahet takimi me të rinjtë në Oborrin e shën Palit – pranë katedrales së Tiranës. Në çadrat e ngritura për këtë ngjarje, të rinjtë e ardhur nga anë të ndryshme të Vendit do të mund të bëjnë pyetje mbi “Hyjin e panjohur” dhe praninë/kërkimin e Tij, përreth tryezave të dialogut që u kushtohen temave të: Punës, Përshpirtërisë dhe Informacionit. Do të marrin pjesë besimtarë e jobesimtarë duke e çelur dialogun dhe shkëmbimin me të rinjtë. Më pas, mbrëmja na paraqet një festë me shprehje artistike të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, por edhe të grupeve jobesimtarë. Të pranishme do të jenë edhe autoritetet më të larta fetare: katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashi, ungjillorë, hebrenj; Kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha dhe shkrimtari Ismail Kadare.
Dita e martë, data 15 nëntor, çelet paradite në Universitetin e Tiranës dhe vazhdon pasdite në Universitetin Evropian, mbi temën “besimtarë e jobesimtarë përballë sfidave të shoqërisë postmoderne”. Kardinali Ravasi do të paraqesë Oborrin dhe do të marrë pjesë në dialogun me personalitetet e ndryshme shqiptare në lëmë të kulturës, politikës, diplomacisë, ekonomisë, së drejtës.
Oborri i Tiranës e përmbyll këtë etapë të parë në Shqipëri në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, në mëngjesin e datës 16 nëntor.







All the contents on this site are copyrighted ©.