2011-11-14 18:08:34

Papa përshëndet takimin “Oborri i jobesimtarëve” në Tiranë me kardinalin Ravasi në dialog me botën e kulturës


“Oborri i jobesimtarëve” nismë e President të Këshillit Papnor për Kulturën kardinali Gianfranco Ravasi, për të favorizuar takimin dhe dialogun ndërmjet besimtarëve e jobesimtarëve, filloi sot veprimtarinë dy ditore në Tiranë me mesazhin dhe bekimin e Papës Benediktit XVI. Kështu nga dita e sotme e deri më 16 nëntor ky takim zhvillohet në kryeqytetin e Shqipërisë mbi temën: “Në çfarë beson ai që nuk beson?”.
Synimi është ai për të biseduar dhe përgjigjur në këtë pyetje e në pyetje tjera lidhur me identitetin e veçantë fetar dhe përshpirtërinë e popullit shqiptar. Mbi këtë në Tiranë takohen personalitete të botës kishtare me ato kulturore dhe politike që i përkasin besimeve të ndryshme ose nuk i përkasin aspak asnjë feje.
Nga ana Kishtare dialogun e drejton kardinali Giancafranco Ravasi, President i Këshillit Papnor për Kulturën, i cili me shumë përzemërsi, interes dhe vëmendje dëshiron të dëgjojë se çfarë kanë për të thënë mbi përmasën shpirtërore të jetës së njeriut, ata njerëz të kulturës që kanë kaluar nëpër përvojën e ateizmit shtetëror, siç ishte Shqipëria në kohën e diktaturës komuniste. Pastaj edhe kardinali Ravasi, që shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Shqipëri, dëshiron të ofrojë pikërisht vështrimin që krishterimi dhe Kisha kanë rreth kësaj çështje kaq të rëndësishme për njeriun dhe shoqërinë bashkëkohore.
Kështu sot më 14 nëntor, takimi i parë iu kushtua të rinjve në Oborrin e Katedrales së shën Palit në Tiranë. Në çadrat e ngritura për këtë ngjarje, të rinjtë e ardhur nga anë të ndryshme të Shqipërisë bënë pyetjet e tyre mbi: “Hyjin e panjohur” dhe praninë e kërkimin e Tij. Takimi vijon me tryezat e dialogut kushtohen temave të punës, përshpirtërisë dhe informacionit. Marrin pjesë besimtarë e jobesimtarë me dialogun dhe shkëmbyer përvojën e tyre njëri me tjetrin.
Më pas, mbrëmja ofron një festë me shprehje artistike të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, por edhe të grupeve jobesimtarë. Të pranishëm edhe autoritetet më të larta fetare: katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashi, ungjillorë, hebrenj; kryetari i bashkisë së Tiranës dhe personalitete tjera.
Po mbi ditën e parë të “Oborrit të takimit” me jobesimtarët nga Tirana të dëgjojmë shërbimin e Klaudia Bumçit.....RealAudioMP3
Nesër më 15 nëntor, takimi “Oborri i jobesimtarëve” do të kalojë në çarqet Universitare të Tiranës mbi temën “besimtarë e jobesimtarë përballë sfidave të shoqërisë postmoderne”. Kardinali Ravasi do të paraqesë “Oborrin e takimit me jobesimtarët” dhe do të marrë pjesë në dialogun me personalitetet e ndryshme shqiptare në fushën e kulturës, politikës, diplomacisë, ekonomisë, e të drejtësisë.
Oborri i jobesimtarëve në Tiranë mbyllet me vizitën e kard. Ravasi në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, në mëngjesin e datës 16 nëntor.







All the contents on this site are copyrighted ©.