2011-11-14 18:39:00

Mesazh i Papës për 50-vjetorin e shpalljes të Zojës së Tridhjetetreve, Pajtore e Uruguait.


E sotmja ishte ditë feste për të gjithë Uruguain, që u mblodh rreth Zojës së Tridhjetetreve, në 50-vjetorin e kurorëzimit dhe të shpalljes së Saj, Pajtore e vendit latinoamerikan, nga Papa Gjoni XXIII. Me këtë rast Benedikti XVI i dërgoi kryetarit të Konferencës ipeshkvnore uruguaiane, ipeshkvit të Mersedes, imzot Karlo Maria Kollazi Irazabal, një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në të cilin nënvizon lidhjet e pakëputshme të popullit uruguaian me Nënën e Zotit. Mesazhi papnor, përmes të cilit nxiten uruguaianët ta ruajnë devocionin për Virgjërën Mari, u lexua gjatë kremtimeve në Shenjtëroren e mbushur përplot me besimtarë. Duke ruajtur devocionin për Nënën e Zotit – shkruan Papa - uruguaianët do të marrin forcë për të qenë dishepuj e misionarë të vërtetë të Krishtit, me rrënjë të thella në fe, me dashuri të fortë për Kishën, përherë të gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë, për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më vëllazërore e më solidare.
“Nënë, me ty kurorëzojmë shpresat e popullit tonë”: nën shenjën e kësaj motoje e të kësaj mbrojtjeje, një mori shtegtarësh u mblodh në shenjtëroren e Zojës së Tridhjetetreve, në qytezën Florida, për të kremtuar 50-vjetorin e shpalljes së Zojës, Pajtore e Uruguait. Shtatorja e vogël prej druri, e gjatë 30 centimetër, vigjëlon prej më se një gjysëm shekulli mbi popullin uruguaian. Sipas traditës, ajo vjen deri në ditët tona nga misionet e etërve jezuitë.
Po pse quhet Zoja e Tridhjetetreve, Pajtorja e Uruguait? Tridhjetë e tre ishte numri i nacionalistëve uruguaianë, që u betuan në një shenjtërore mariane, para se të fillonin luftën kundër pushtimit spanjoll. Dhe e mbajtën premtimin, që i bënë Zojës e popullit të tyre: e çliruan vendin. Prej këndej, populli e zgjodhi Zojën e Bekuar Pajtore, duke quajtur “e Tridhjetetreve”, për të kujtuar atë fillesë, që u bekua nga vetë Zoti e që i solli vendit lirinë aq të dëshiruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.