2011-11-14 18:09:01

Atë Lombardi paraqet shtegtimin e Papës në Benin: inkurajim për mbarë Afrikën.


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë ishte, sot paradite, teatër i takimit, gjatë të cilit u paraqit shtegtimi i 22-të apostolik i Benediktit XVI, më 18 deri më 20 nëntorin e ardhshëm. Duke u folur gazetarëve të pranishëm, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u ndalua posaçërisht tek arsyet kryesore, që e shtynë Papën të rikthehet në Afrikë, pas shtegtimit të tij në Kamerun e Angola, më 2009. E arsyeja e parë është, sigurisht, nënshkrimi i Nxitjes Apostolike pas-Sinodale të Asamblesë II të posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve afrikanë.

Gjeografikisht i vogël, por shpirtërisht i madh për Kishën, është vendi i largët, që pret Papën. Nga Benini, me 7 milionë banorë, një shekull e gjysëm më parë nisi ungjillëzimi, i cili pak nga pak u shtri në të gjithë zonën përreth, nga Togo, në Ganë e Niger. E popullsia vendase katolike përgatitet ta kremtojë me Benediktin XVI, 150- vjetorin e arritjes së misionarëve të parë, që nisën veprimtarinë e kumtimit e të inkulturimit të Ungjillit në vend. Atë Lombardi e paraqiti këtë kremtim si një nga arsyet e shtegtimit të ardhshëm apostolik, që do të zhvillohet – u tha gazetarëve- në një atmosferë inkurajimi të fuqishëm nga ana e Kishës, për mbarë Afrikën:
Është inkurajim për Kontinentin Afrikan në të gjithë shtrirjen e tij. Prej këndej, një theksim i vetëdijshëm mbi problemet, që e shqetësojë, parë në perspektivë pozitive: inkurajim për t’u impenjuar në shërbim të pajtimit, të drejtësisë, të paqes, të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor e të kumtimit të Ungjillit, në shërbim të këtij zhvillimi”.
Duke ndjekur në hartë etapat e shtegtimit të afërt, atë Lombardi vuri menjëherë në dukje Nxitjen apostolike pas sinodale “Africæ munus”, dokument që Benedikti XVI do ta nënshkruajë e pastaj edhe do t’ua dorëzojë, të dielën e ardhshme, 35 krerëve të konferencave ipeshkvnore kombëtare dhe 7 përfaqësuesve të konferencave zonale të Kontinentit. Por është edhe një ngjarje tjetër, që e nxiti Papën të shkelë në trojet e Beninit: vizita tek varri i kardinalit Bernardin Gantin, që vdiq në vitin 2008, por që mbeti i pranishëm, plot nderim e dashuri, në zemrën e beninasve e, prej këndej, edhe në zemrën e Benediktit XVI:
“Njeri shumë i afërt i Papës së sotëm, për një mori arsyesh, sidomos për arsye se ishte, për një kohë të gjatë, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, ndërsa Papa aktual, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Kardinali Gantin pati qenë edhe pararendës i drejtpërdrejtë i Atit të Shenjtë, si dekan i Kolegjit Kardinalor. Duhet të kujtojmë se në Benin konsiderohet si Atë i Kombit, hero kombëtar, njeri që gëzon nderimin e dashurinë e pjesës më të madhe të popullsisë. Prandaj figura e Gantinit dhe vizita e Papës tek varri i tij, do të jenë aspekte domethënëse të këtij shtegtimi”.
Në vijim, duke kujtuar se Kisha beninase ka shkruar faqe të paharrueshme të historisë së shtetit të vogël afrikan, nuk mund të mos dalë në pah edhe figura e një personaliteti tjetër kishtar vendas, imzotit Izidor de Souza që, në krye të Konferencës kombëtare beninase – kujtoi atë Lombardi – e ndihmoi vendin të rifitojë lirinë, duke hequr dorë nga regjimi socialist e duke hedhur, kështu, bazat e demokracisë:
“Pas Konferencës kombëtare të Beninit, u organizuan shumë të tjera në Afrikë. Po kjo e Beninit mbeti si model, që dha, pastaj, rezultate të shumta e të qëndrueshme. Kështu, është fakt domethënës e arsye për të theksuar lavdinë e merituar të Kishës, që dha një kontribut vendimtar në zhvillimin e kësaj konference. Imzot Souza, së bashku me kardinalin Gantin, është një nga figurat e mëdha të vendit. U varros në katedrale e edhe varri i tij do të vizitohet gjatë shtegtimit”.Ndërmjet shumë takimeve zyrtare, atë Lombardi kujtoi edhe një ngjarje artistiko-kulturore, që do të gjallërojë mbrëmjen e arritjes së Papës në Kotonu, të premten e ardhshme. Rreth orës 21.00, tre nga artistët më të famshëm afrikanë, Papa Wemba, Bonga e Fifito, apo Filomeno Lopez, kolegu ynë i Radio Vatikanit, do të japin një koncert me temën e paqes, të drejtësisë e të pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.