103-vjet më parë në Manastir lindte alfabeti i sotëm i shqipes
Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit për të vendosur për problemin
e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua
nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi një ditë e pëlqyerë
për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin'
e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e
Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona
të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e
drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria
dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë atë Gjergj Fishta,
dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej
Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga
Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një
komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar
problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e
përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar
i kësaj fryme qe françeskani Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që ishte i dërguar
prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të
gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm. Tre alfabetet kryesorë
që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës
i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës,
i hartuar nga imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej
Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët
zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet,
sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të
tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të
cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin
si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë
variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit. Të
dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të
komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje
kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar
i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar
kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.