2011-11-12 15:27:48

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Mateu me shëmbëlltyren e ‘talenteve’ insiston akoma mbi vigjelncen, mbi kujdesin aktiv dhe mbi përgjegjësinë e guximshme që duhet të karakterizon çdo njeri që e pranon mesazhin e shpëtimit Hyjnor. Angazhimi konkret dhe inteligjent i njeriut në shumëllojshmërinë e dhuntive (aftësive) dhe angazhimi i Zotit që dërgon të Birin e vet për të gjykuar por sidomos për të vlerësuar të mirën janë dy polet e ndërvarësisë rreth të cilave përqendrohen leximet biblike të kësaj së diele.
Ungjilli është ftesë për të marrë mbi vete përgjegjësitë tona në botë, para Zotit; është ftesë për të mos pasur frikë ti angazhojmë e investojmë aftësitë tona në pritje aktive të ardhjes së mbretërisë së Zotit. Lypet të mësojmë ta zbulojmë planin që Zoti ka për ne e me dhe ta ushtrojmë fantazinë në krijimtari e ne pune për t’i vënë në shërbim të të gjithëve dhuratat, talentet që kemi fituar prej Zotit.
Shëmbëlltyra e ‘talenteve’, për çka flet Ungjilli i kësaj së diele, është ndër shëmbëlltyrat më popullore e më të njohura, por duhet ta lexojmë e ta kuptojmë në dritën e vërtetë. Mesazhi i shëmbëlltyrës së kësaj së diele, nënvizon detyrën që buron nga posedimi i talenteve që Zoti na i ka dhuruar e besuar. Sikur do të dëgjojmë nga pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, në shëmbëlltyrën e talenteve të Zotit, nuk vlerësohet aq shumë prodhimi apo fryti që arrihet, por impenjimi ynë që vejmë për sjelljen e fryteve apo për arritjen e rezultateve, e vetmja gjë që kërkohet për të arritur shpërblimin. Mbretëria e Zotit me siguri se është dhuratë, por edhe detyrë për atë që e fiton. Mungesa e angazhimit nga ana e shërbëtorit “të keq e dembel” ndëshkohet në mënyrë të ashpër si akt krimi.
Në leximin e dytë Shën Pali i nxit besimtarët e Selanikut të angazhohen në detyrat e jetës së krishterë, duke u kujtuar atyre “ditën e Zotit”, shprehje që na tërheq vëmendjen se një ditë të gjithë do të japim llogari para Zotit për veprat tona e talentet që Ai na ka falur. Të jemi “bijtë e dritës e të ditës” do të thotë të plotësojmë detyrën që kemi, por të veprojmë e punojmë mirë atë që bëjmë.
Leximi i parë e lartëson figurën e “gruas së vërtetë, të përsosur”, e cila “punon hareshëm”, duke merituar lëvdata publike.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve.
Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit.

Psalmi 128 (127)Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit
_____________________________
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
_____________________________
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
_____________________________
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, për sa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’ paqe dhe ç’ siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flejmë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë!Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 25, 14-30)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talente u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talente, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talente, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talente, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talente e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talente, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talente! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit.

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu rreth leximet biblike të kësaj së diele dhe komentin...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.