2011-11-12 15:30:48

Atë Federiko Lombardi: Kriza financiare e aftësia për të jetuar jo vetëm për hir të interesit


Kriza ekonomike, që po kalon bota, ka nxjerrë në pah vështirësitë e sistemeve perëndimore për t’i nxitur njerëzit të mos mendojnë vetëm për vete e për të fituar, por të kenë parasysh se bëjnë pjesë në një shoqëri, për zhvillimin e së cilës është i nevojshëm kontributi i të gjithëve. E ky kontribut nuk është thjesht në para, por edhe në pjesëmarrje, në ndihmën që i japim njëri-tjetrit, në impenjimin për të ndërtuar një familje të shëndoshë e kështu me radhë… të gjitha gjëra, që nuk kërkojnë vetëm fonde e investime. A thua të jetë kjo pika e mbështetjes për atë “levë të Arkimedit”, me të cilën shkencëtari i madh dëshironte të ngrinte botën? E cila është leva jonë e Arkimedit? Mbi këto argumente, reflekton sot, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:.........RealAudioMP3
“Ndërsa kriza ekonomike mundon kontinentin evropian e zgjon tensione, shqetësime e ankthe në një pjesë të mirë të botës, duke sfiduar mendjet dhe aftësitë e politikanëve e të ekonomistëve, një kontribut i vogël për të gjetur një pikëmbështetje për shpresën e përbashkët mund të vijë edhe nga fjalimi i Papës para të rinjve, mbledhur në Romë të premten e kaluar, me rastin e Vitit evropian të vullnetariatit. Benedikti XVI u tha të kujtohen se ekziston edhe “dhurata”, pra aftësia për të jetuar jo vetëm për hir të interesit, por edhe të gjithçkaje, që merret e jepet “falas”.

Për këtë, Papa flet edhe në Enciklikën e tij të fundit, ku shkruan: “Tregu i dhënies falas nuk ekziston e dhurata nuk mund të përcaktohet me ligj. E megjithatë, si tregu, ashtu edhe politika, kanë nevojë për njerëz të aftë të dhurojnë reciprokisht”. E pastaj, shton: “Që të kemi drejtësi të vërtetë është e nevojshme t’i shtojmë së drejtës, dhuratën e solidaritetin”; “duhet të shkojmë përtej logjikës ‘më jep, të jap’ e përtej përfitimit, si qëllim në vetvete”.

Janë të vërteta, që nuk qëndrojnë në hava, por i kanë rrënjët në përvojën më të mirë të përditshme, duke filluar nga jeta në familje. Për t’i frymëzuar të rinjtë, Papa kujton edhe fjalët e Jezusit: “Falas keni marrë e, falas jepni!” (Mt 10.8). Pra, njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por edhe nga marrëdhëniet me njerëz të lirë, që respektojnë njëri-tjetrin, që shqetësohen për të afërmin e duhen, pa shumë llogari. Prej këndej, krijohet besimi i ndërsjelltë mes njerëzve dhe mes popujve. Është pikëmbështetja e nevojshme për të ngritur në këmbë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.