2011-11-11 18:37:10

Papa: Manteli i shën Martinit të Tur-it, ikonë e krishterë e ndarjes së përbashkët dhe e shërbimit pa interes.


Model evropian i dashurisë së krishterë. Kështu quajti Benedikti XVI shën Martinin e Tur-it, në audiencën me vullnetarët e Kontinentit të Vjetër, sot paradite, në Vatikan. E ashtu është. Martini i Tur, një herë ushtar e pastaj ipeshkëv, mbetet një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Atij e gjestit të tij bujar, më 11 nëntorin e vitit 2007, Papa ia pati kushtuar plotësisht lutjen e Engjëllit të Tënzot. Po kujtojmë disa nga fragmentet më aktuale:
“Duhet krijuar modeli botëror i solidaritetit të vërtetë, për t’i dhënë dinjitet njeriut, domethënë për të pasur paqe e drejtësi në botë. Solidariteti është çelësi që hap portat e zemrave. Në se përhapet e mbështetet në shkallë botërore, kontribuon për të zgjidhur nyjat e pazgjidhura të politikës së paskrupull. Favorizon drejtësinë në shpërndarjen e pasurive të natyrës, duke frenuar rrezikun e përdorimit të dhunës nga njerëzit, që shtypen nën peshën e mjerimit. Ua zgjeron horizontin atyre që jetojnë me frytet e tokës, duke i mësuar ta respektojnë, përpara se ta shfrytëzojnë, me pasionin e punës për të mirën e përbashkët.
E pikërisht ky pasion e shtyu, 1700 vjet më parë, ushtarin e Panonisë së lashtë, Martinin, ta kuptonte e ta jetonte në mënyrë krejt të jashtëzakonshme karrierën ushtarake. Ishte krishterimi që e mësoi t’i respektonte e t’i mirëkuptonte të gjithë, të sillej me shërbëtorin e vet, si me një vëlla e të largohej nga dëfrimet vulgare. E krishterimi e mësoi edhe ta ndante mantelin e vet me një varfanjak, që dridhej nga e ftohta, gjest që e bëri një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Ky gjest ka një logjikë të përcaktuar. Është logjika që të shtyn ta ndash gjithçka me tjetrin, në të cilën gjen shprehjen dashuria e vërtetë për të afërmin. Shën Martini na ndihmoftë të kuptojmë se vetëm përmes impenjimit të përbashkët për të mbështetur njëri-tjetrin, mund t’i përgjigjemi sfidës së madhe të kohës sonë: ndërtimit të një bote në të cilën mbretëron paqja e drejtësia, ku çdo njeri mund të jetojë me dinjitet. E kjo mund të bëhet realitet vetëm në se fiton epërsinë modeli botëror i solidaritetit të vërtetë, që është në gjendje t’u sigurojë të gjithë banorëve të planetit ushqimin, ujin, ilaçet e nevojshme, por edhe punën, burimet energjitike, pasuritë kulturore dhe njohuritë shkencore e teknologjike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.