Më 11 nëntor kalendari kujton shën Martinin eTurit, ipeshkëv
Për shën Martinin thuhet se ishte: ushtar me zor, ipeshkëv për detyrë, murg për vullnet.
I lindur në Panoni (Hungari) prej një tribuni, ndoq karrierën ushtarake në radhët
e Rojeve të Perandorisë. Fëmijërinë e kaloi në Paví të Italisë e pastaj, si ushtar,
shërbeu në Francë. Mbasi u pagëzua, u vu nën drejtimin shpirtëror të shën Hilarit
(339). La karrierën ushtarake e, pak mbrapa, themeloi të parin kuvend rregulltarësh
pranë Puatjë. Si u shugurua meshtar, pas vdekjes të ipeshkvit të Turit (372) u zgjodh
ipeshkëv i asaj selie. Si bari i këtij dioqezi u bë apostull, mësues e bamirës i të
gjithëve, posaçërisht i të varfërve e i fshatarëve. Me ndihmën e murgarëve të vet,
ndihmoi fuqimisht shtresat e ulta të katundarëve e të barinjve dhe i dha shkas përparimit
shoqëror të vendit e të Galisë mbarë. Vdiq në moshë të shtyrë, në vitin 397. Është
i pari shenjt jo martir i nderuar në elter prej Kishës. Ikonografia e paraqet gati
gjithherë mbi kalin e vet duke prerë me shpatë mantelin e tij, për të mbuluar një
të varfër, që dridhej rrugës prej së ftohtit. Papa Benedikti XVI, duke e kujtuar
Shën Martinin e Tur, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 11 nëntorit 2007, i ftoi besimtarët
të ndjekin shembullin e tij, “t’i lënë mënjanë interesat personale e të punojnë me
pasion të vërtetë për të mirën e përbashkët”. Një pasion i tillë – theksoi Ati
i Shenjtë - e shtyu, 1700 vjet më parë, ushtarin e Panonisë së lashtë, Martinin, ta
kuptonte e ta jetonte në mënyrë krejt të jashtzakonshme karrierën ushtarake. Ishte
krishterimi që e mësoi t’i respektonte e t’i mirëkuptonte të gjithë, të sillej me
shërbëtorin e vet si me një vëlla e të largohej nga dëfrimet vulgare. E krishterimi
e mësoi edhe ta ndante mantelin e vet me një varfanjak, që dridhej nga e ftohta –
gjest që e bëri një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Ky gjest – pohoi Papa
– ka një logjikë të përcaktuar: “Është logjika që të shtyn ta ndash gjithçka
me tjetrin, në të cilën gjen shprehjen dashuria e vërtetë për të afërmin. Shën Martini
na ndihmoftë të kuptojmë se vetëm përmes impenjimit të përbashkët për të mbështetur
njëri-tjetrin, mund t’i përgjigjemi sfidës së madhe të kohës sonë: ndërtimit të një
bote në të cilën mbretëron paqja e drejtësia, ku çdo njeri mund të jetojë me dinjitet.
E kjo mund të bëhet realitet vetëm në se fiton epërsinë modeli botëror i solidaritetit
të vërtetë, që është në gjendje t’u sigurojë të gjithë banorëve të planetit ushqimin,
ujin, ilaçet e nevojshme, por edhe punën, burimet energjitike, pasuritë kulturore
dhe njohuritë shkencore e teknologjike”.