2011-11-11 10:43:34

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë nuk janë kundër regjistrimit të popullsisë në vend por duan të kompletojnë regjistrimin e besimtarëve


Në një deklaratë për shtyp të ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë sqarohet siç vijon:
Në disa media ditën e djeshme 10 nëntor 2011 është reaguar ndaj një pjese të komunikatës për shtyp të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë të datës 9 nëntor 2011, ku flitej për regjistrimin e popullsisë të kryer nga INSTAT-i. Në këtë komunikatë të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë është thënë se janë evidentuar disa probleme në këtë proces regjistrimi.
Nga disa tituj mediash shqiptare del në pah ideja se Kisha Katolike është kundër këtij regjistrimi. Duam të sqarojmë se komunikata për shtyp e Konferencës Ipeshkvnore nuk ka nxjerrë përfundime të cilat mund të nxirren vetëm në fund të gjithë procesit të regjistrimit.
Gjithashtu me anë të kësaj deklarate Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë bën me dije se Kisha Katolike në Shqipëri nuk është dhe nuk ka qenë kurrë kundër regjistrimit të popullsisë me baza fetare. Në deklarata të mëparshme edhe të vetë Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita, është thënë qartë se Kisha katolike është pro këtij regjistrimi.
Evidentimi i parregullsive nuk ka për qëllim të hedhë poshtë parimin e regjistrimit të popullsisë. Ndërsa regjistrimi që duam të kryejmë ne si komunitet ka qëllime baritore dhe njohjeje më të detajuar të komunitetit tonë dhe se regjistrimi është një praktikë shekullore e tërë Kishës Katolike kudo në botë.
Shpresojmë që kjo deklaratë do të shërbejë për shmangien e keqinterpretimeve të komunikatës për shtyp të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Sqaron Zyra e shtypit Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, ne Tiranë.







All the contents on this site are copyrighted ©.