2011-11-11 16:42:39

Imzot Folo në Unesco: familja, shkolla e qyteti, për të ndërtuar paqen.


“Familja, shkolla, qyteti”: për imzot Folon, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Unesco-s, pikërisht nga këto “shoqëri të vogla”, duhet të nisemi, për ndërtimin e paqes. Në fjalimin e mbajtur gjatë diskutimit publik të Konferencës së përgjithshme të Organizatës së OKB-së, imzot Folo kujtoi fjalët e Papës për ekologjinë njerëzore, si kusht i domosdoshëm për bashkëjtesën dhe u ndalua posaçërisht tek lidhjet e ngushta ndërmjet familjes, edukimit e paqes. Objektiv që, saktëson diplomati, mund të arrihet, duke u nisur nga familja, shkolla e qyteti. Në radhë të parë, nga familja, duke e parë si shoqëri e vogël, brenda së cilës mund e duhen gjetur modelet e nevojshme. Askush nuk mund ta mohojë se njeriu mëson të jetë njeri pikërisht në familje, në këtë qelizë shoqërore, të përbërë nga prindërit e fëmijët, me të cilën zë fill vetë shoqëria. Prandaj është detyrë e dorës së parë ta mësosh njeriun për të jetuar në familje.
Shoqëria e dytë është shkolla, vend ku njeriu jo vetëm merr njohuritë e nevojshme shkencore, por edhe mëson të sillet si qenie shoqërore. Shkolla, vëren imzot Folo, nuk do të mund ta kryente misionin e saj, në se do të kufizohej vetëm me mësimdhënien teorike, duke harruar se e ka për detyrë të krijojë një jetë të përbashkët paqësore, kusht i domosdoshëm për zhvillimin e njeriut. Në një botë të shqetë, të përçarë, të kërcënuar ditë për ditë nga rreziku i ndeshjeve të dhunshme, si kjo në të cilën jetojmë, shkolla mund të edukojë veprimtarë të paqes e të kultivojë kulturën e dialogut, që i hap rrugën edhe autokritikës. Në këtë mënyrë, vijon imzot Folo, shkolla mund të luftojë me sukses kundër pabarazive të mëdha, të kërkojë që të drejtat e njeriut të respektohen kudo e, posaçërisht, t’i edukojë të gjithë që ta kuptojnë se jemi një familje e vetme njerëzore.
Por nuk duhet harruar se familja e shkolla jetojnë brenda qytetit, në kuptimin fillestar të fjalës, sipas termit grek të qytetit, që ka kuptimin e vendit a të fshatit. Bota jonë, theksoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, është gjithnjë më e urbanizuar. Shumica e njerëzve tashmë vijojnë të dynden drejt qyteteve. Kështu qyteti është bërë vend ku krijohet e jetohet kultura më e rafinuar e, njëkohësisht, edhe dhuna më e egër; vend i fisnikërisë e i barbarizmit, i pasurisë më marramendëse dhe i varfërisë më tronditëse. Prandaj duhet të impenjohemi që qyteti, vendi, fshati, lagjja të bëhen vërtet njerëzore. Me fjalë të tjera, bashkësia e njerëzve, të cilët jetojnë në këto mjedise, të fitojë vetëdijen se jeta duhet bazuar mbi parime pozitive, që rrjedhin nga kulturat përkatëse e çojnë tek kultura e paqes, në kundërshtim me çdo formë të dhunës. Prej këndej, përfundimi i imzot Folos: “Paqja mund të sigurohet përmes tri rrugëve: familjes, shkollës, qytetit . Kështu mund të krijohet kultura e paqes, që ndikon pastaj më gjerësisht në bashkëjetesën e harmonishme të kombeve. Së fundi, mbështetja e Selisë së Shenjtë për platformën ndërsektoriale të Unesco-s, kushtuar kulturës së paqes, që i kundërvihet çdo lloj dhune.







All the contents on this site are copyrighted ©.