2011-11-11 16:42:09

Benedikti XVI vullnetarëve katolikë evropianë: Vegla të dashurisë së Zotit për një shoqëri më njerëzore


Në ditën kur Kisha kremton Shën Martinin e Tur, model i dashurisë së krishterë për mbarë botën, Benedikti XVI priti në audiencë vullnetarët katolikë evropianë, mbledhur nga Këshilli Papnor “Cor Unum” për një takim, me rastin e Vitit evropian të vullnetariatit. Papa vuri theksin mbi identitetin e vullnetaratit katolik, i cili nuk duhet të joshet nga ideologjitë, që premtojnë se do t’ia ndryshojnë faqen botës.
Prej këndej, ripohoi vlerën e punës vullnetare, në një periudhë krize ekonomike, si kjo që po përballojmë sot.
Në fillim të takimit, Papën e përshëndeti kardinali Robert Sarah, kryetar i “Cor Unum”.
Në çastin aktual, çast krize e pasigurie, impenjimi juaj krijon besim, u tregon të gjithëve se e mira mund të lulëzojë edhe në kohë tejet të vështira. Këtë theksoi Papa në fjalimin, drejtuar vullnetarëve katolikë evropianë, të cilëve u shprehu, posaçërisht, mirënjohjen e thellë për misionin e tyre bamirës në botë. Prej këndej, nënvizoi se për të krishterët puna vullnetare nuk është thjesht shprehje e vullnetit të mirë:
“It is based on a personal experience of Christ…”
Ajo – theksoi – bazohet mbi përvojën personale të Krishtit. Ishte ai i pari, që u vu në shërbim të njerëzimit, duke dhënë lirisht jetën për të mirën e të gjithëve. Përvoja e dashurisë bujare të Zotit, shtoi, na nxit të ecim mbi të njëjtat gjurmë, në ndihmë të vëllezërve e të motrave tona. E këtë e ndjejmë më fort se kurrë në Eukaristi. Hiri i Zotit, pohoi, e larton dëshirën tonë për t’u shërbyer të tjerëve pa kurrfarë shpërblimi. Jemi të thirrur, prandaj, për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu si u shërbeu vetë Zoti, me të njëjtën liri e bujari. Duke shërbyer kështu, bëhemi mjete të dukshme të dashurisë së tij, në një botë që ka etje të pashuar për këtë dashuri, sepse jeton në mes të varfërisë materiale e shpirtërore, në mes të vetmisë e të përbuzjes, të padijes e të braktisjes, që bëhen gjithnjë më të dukshme e më të dhimbshme rreth nesh. Natyrisht, pranoi Papa, vullnetariati katolik nuk mund t’u përgjigjet të gjitha nevojave, por kjo nuk na dëshpëron, nuk na çarmatos. Përkundrazi:
“Nor should we let ourselves be seduced…”
Ne nuk duhet të joshemi nga ato ideologji, që duan ta ndryshojnë botën mbi bazën e një vizioni thjesht njerëzor. Ajo pak e gjë, që arrijmë të bëjmë për të lehtësuar mjerimin, theksoi Papa, mund të shikohet si farë e mirë, që do të rritet e do të japë fryte të begata. Është, shtoi Ati i Shenjtë, shenjë e pranisë së dashurisë së Krishtit. E është pikërisht kjo, i nxiti Benedikti XVI vullnetarët katolikë, natyra e dëshmisë, që i jepni shoqërisë civile, me përvuajtëri e bindje:
“While it is the duty of public authority…”
Nëse, vijoi Papa, është detyrë e autoriteteve publike ta njohin e ta vlerësojnë këtë kontribut, pa ia shtrembëruar kuptimin, roli juaj si të krishterë është të merrni pjesë gjallërisht në jetën e shoqërisë, duke u përpjekur për ta bërë gjithnjë më njerëzore, gjithnjë më të lirë, më të drejtë, më solidare. Sot, reflektoi Ati i Shenjtë, vullnetariati, apo shërbimi i dashurisë së krishterë, njihet tashmë nga të gjithë, si element i rëndësishëm i kulturës moderne. Por gjithsesi zanafilla e tij duhet shikuar si vëmendje e krishterë për mbrojtjen, pa diskriminime, të dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shembëllyrës së Hyjit:
“If these spiritual roots are denied or oscured…”
Në se këto rrënjë shpirtërore, tërhoqi vëmendjen Papa, mohohen ose nuk përfillen, e kriteret e bashkëpunimit tonë katandisen në veprimari utilitaristike, atëherë krijohet rreziku i humbjes së cilësisë themelore të shërbimit tuaj vullnetar, në dëm të mbarë shoqërisë.
Së fundi Benedikti XVI i nxiti vullnetarët katolikë ta ndryshojnë jetën e tyre rrënjësisht, pa kurrfarë frike, me bindjen se njeriu mund të realizohet plotësisht, vetëm në se dhurohet plotësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.