2011-11-10 13:54:19

Çelësi i fjalëve të Kishës: "Oborri i Takimit"


Të dashur dëgjues, të hënën e ardhshme do të fillojë në Tiranë ”Oborri i Takimit”, nismë e Këshillit Papnor të Kulturës për të dialoguar me jo besimtarët. Vërtet, takimi i Tiranës ka si temë: ”Në çfarë beson, ai që nuk beson”. Emri ”Oborri i Takimit” është përkthimi i shqipëruar i ”Oborrit të Paganëve” ose i ”Xhentilëve”, kuptimin e të cilit do të shpjegojmë sot.

”Mendoj se Kisha duhet t’ia hapë edhe sot dyert një lloj ’oborri të paganëve’, ku njerëzit të mund të takohen në një farë mënyre me Zotin, pa e njohur akoma e para se të kenë gjetur dritaren për t’iu afruar misterit të Tij, në shërbim të të cilit është jeta e brendshme e Kishës. Dialogut me fetë, sot i duhet shtuar sidomos dialogu me ata, për të cilët feja është diçka e çuditshme, me ata, që nuk e njohin Zotin, por megjithatë, nuk duan të qëndrojnë thjesht pa Zot, duke e afruar të paktën si të Panjohur”.
Këto fjalë të Benediktit XVI për Kurien Romake, me rastin e shkëmbimit të urimeve për Krishtlindjen e vitit 2009, frymëzuan Këshillin Papnor të Kulturës për të themeluar institucionin me emër ”Oborri i Paganëve”, për një dialog të sinqertë e serioz ndërmjet besimtarëve dhe ateistëve e agnostikëve.
Në kohët e para të krishterimit, paganët ishin jo hebrenj, edhe njerëz, që i ishin afruar krishterimit. Termi vjen nga latinishtja ’gens’, që do të thotë ”me kombësi të huaj”. Për të kuptuar realitetin e ”Oborrit të Paganëve” – i ngjashëm me tremet e sotme para Kishës, ku mund të qëndrojnë të gjithë – duhet t’i referohemi planimetrisë së Tempullit të Jeruzalemit, ndërtuar nga Herodi i Madh, duke filluar nga viti 20 para Krishtit e, shkatërruar në vitin 70 pas Krishtit, nga armatat romake të Titit. Në të, përveç zonave të rezervuara për gratë, për izraelitët, për meshtarët dhe për shenjtëroren në vetvete, ekzistonte edhe një hapësirë, në të cilën mund të hynin paganët, që vinin për vizitë në Jeruzalem. Provë konkrete e ekzistencës së këtij oborri të veçantë, i gjerë 300 metra dhe i gjatë 475, është një pllakë 60x90 cm shkruar në greqisht, zbuluar në vitin 1871 nga arkeologu Sharl Simon Klermont-Ganò, që tani ruhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.
Në të lexohet diçka e ngjashme me tabelat e sotme, ku shkruhet ”rrezik vdekjeje”, ose ”zonë ushtarake” e pakapërcyeshme. ”Asnjë i huaj (alloghenés) – thuhet aty – të mos kalojë përtej parmakut e zinxhirit, që rrethon hapësirën e shenjtë (hieròn). Kush do të kapet, do t’i shkaktojë vetes vdekjen”.
Siç shihet nga ky shkrim, dënimi me vdekje ishte automatik, pa proces, por me një lloj linçimi nga ana e turmës së hebrenjve. Nga diçka e ngjashme rrezikon jetën edhe shën Pali Apostull, pikërisht në Tempullin e Jeruzalemit. Masa e besimtarëve hebraikë përpiqet ta vrasë, sepse dyshohet se ka ”futur grekë në tempull, duke dhunuar një vend të shenjtë”. Vërtet, ishte parë në shoqëri me një pagan, një farë Trofimi nga Efesi, të cilin dyshohej se e kishte marrë me vete edhe pas kufirit të ”Oborrit të Paganëve”, siç shpjegohet në Veprat e Apostujve (21, 27-32).
Vetë Apostulli, i cili për këtë arsye quhet ”i Popujve”, ose ”i Paganëve”, e kritikon ashpër këtë konceptim, të themi ”separatist”, kur duke u shkruar të krishterëve të Efesit, deklaron se Krishti ka ardhur për ”ta përmbysur murin ndarës” ndërmjet hebrenjve dhe paganëve, ”me qëllim që prej të dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonjë në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, të dy t’i pajtojë në një trup me Hyjin” (Ef 2, 14-16).
Pra ai simbol i ndarjes e i moskuptimit, që ishte muri i ”Oborrit të Paganëve”, zhduket nga Krishti, i cili dëshiron t’i eliminojë pengesat e t’i bëjë të dy popujt të takohen në harmoni. E pikërisht ky është kuptimi, që merr ”Oborri i Paganëve”, në konceptimin paolin e në metaforën e sugjeruar nga Benedikti XVI. Është i drejtë pra, shqipërimi i ”Oborrit të Xhentilëve”, apo ”të Paganëve”, në ”Oborrin e Takimit”, ashtu siç quhet nisma e datave 14 e 15 nëntor, në Tiranë.
Besimtarët e jo besimtarët janë në dy territore të ndryshme, por nuk duhet të ngujohen secili në shtëpinë e vet, duke e injoruar tjetrin, ose më keq akoma, duke e akuzuar e duke e përqeshur, siç do të dëshironin fondamentalistët e të dyja kampeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.