2011-11-10 13:54:08

Papa krerëve fetarë të Izraelit: jemi të thirrur të punojmë me guxim për dialogun dhe paqen në Tokën e Shenjtë


Krerët fetarë të impenjohen me guxim për nxitjen e paqes në Tokën e Shenjtë: kjo qe thirrja e Benediktit XVI sot paradite, gjatë audiencës me delegacionin e Këshillit të krerëve fetarë të Izraelit, në Vatikan. Takimi qe rasti për të ritheksuar përgjegjësinë e njerëzve të fesë në arritjen e paqes së drejtë e të qëndrueshme për Lindjen e Mesme e për të gjithë botën.
Në kohët tona të trazuara, nënvizoi Papa, dialogu ndërmjet feve të ndryshme po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi e respekti:
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për krerët fetarë të Tokës së Shenjtë, të cilët, ndërsa jetojnë në një vend të pasur me kujtime të shenjta për traditat tona, vihen çdo ditë në provë nga vështirësitë për të jetuar së bashku në harmoni”.
Papa përsëriti fjalët e thëna në Takimin e fundit të Asizit ndërmjet feve, duke nxjerrë në pah dy lloje të dhunës: nga njëra anë, përdorimi i dhunës në emër të fesë e, nga ana tjetër, dhuna, si pasojë e mohimit të Zotit, që shpesh karakterizon shoqërinë moderne:
“Në këtë situatë, si krerë fetarë, jemi të thirrur të ripohojmë se marrëdhëniet e njeriut me Zotin, të jetuara drejt, janë forcë për paqen. Kjo është një e vërtetë, që duhet të bëhet gjithnjë e më e dukshme nga mënyra se si jetojmë me njëri-tjetrin”.
Ati i Shenjtë i inkurajoi të pranishmit të favorizojnë një atmosferë besimi e dialogu në Tokën e Shenjtë:
“Bashkëndajmë përgjegjësinë e madhe të edukimit të anëtarëve të bashkësive tona fetare, me qëllim thellimin e njohjes së ndërsjelltë e bashkëpunimin me njerëz të traditave të ndryshme fetare”.
Fatkeqësisht, vuri në dukje Papa, realiteti i botës dhe i Tokës së Shenjtë, në veçanti, është tepër i copëzuar. Ja pse, secili duhet të impenjohet edhe në promovimin e drejtësisë e të dinjitetit të njeriut, në mënyrë që bota të ketë një përmasë plotësisht njerëzore:
“Drejtësia, së bashku me të vërtetën, me dashurinë e me lirinë, është kërkesa themelore për një paqe të sigurtë e të qëndrueshme në botë. Pajtimi kërkon guxim e horizont, si edhe besimin se do të jetë vetë Zoti, Ai që do të na e tregojë rrugën. Nuk mund t’i arrijmë objektivat nëse Hyji nuk na jep forcë”.
Në fund, Benedikti XVI kujtoi lutjen për paqen, që vendosi në Murin perëndimor të Tempullit të Jeruzalemit, me rastin e shtegtimit të tij apostolik, në maj 2009. Papa i kërkoi Zotit t’i dëgjojë lutjet e të gjithë atyre, që duan paqen në Jeruzalem:
“Të mos rreshtim kurrë së luturi për paqen në Tokën e Shenjtë, të patundur në besimin se Zoti vetë është paqja dhe ngushëllimi ynë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.