Me 10 nëntor kalendari Kishtar kujton shën Leonin e Madh, Papë
Kisha kremton sot Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të mëdhenj të historisë.
Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi paqen në kohë të vështira,
doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve me vepra baritore e me
predikime. Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror,
ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. “Duhet t'i ngjasosh Bariut
të Mirë, i cili shkon ta kërkojë delen e humbur dhe e sjell rishtas në grigjë, duke
e mbartur përmbi shpatulla. Kështu duhet të veprosh me ata që kanë dredhuar rrugë,
duke hyrë në shtigje të verbra, të cilat i çojnë larg së vërtetës. Duhet t'i rifitosh
për Zotin përmes lutjeve të Kishës së tij". Papa Leoni ia shkruante këtë letër
Timoteut, ipeshkvit të Aleksandrisë, më 8 gusht të vitit 460 - një vit para se të
vdiste - duke i dhënë këshilla që janë pasqyrë e vetë jetës së tij e duke treguar
se ishte bari që nuk i dënonte delet rebele, por i kthente në vath me dashuri e vendosmëri.
Mendimi tij përmblidhet në këto dy fragmente themelore: "Edhe atëherë kur duhet
të qortosh, mos e humb kurrë dashurinë” e sidomos, “mos harro se Krishti është gjithçka
për ne, me Të mund t'i arrijmë të gjitha”. Nuk është e rastit që Leoni i Madh,
Papë e doktor i Kishës, përballoi Atilën, kryetarin e Hunëve, për të cilët shkruhej
se ku vinte këmbën, nuk mbinte më bari, duke e bindur - i armatosur vetëm me kryqin
papnor - të mos marshonte mbi Romën dhe të tërhiqej përtej Danubit. Ky Takim i vitit
452 pranë lumit Minçio mbetet edhe sot e kësaj dite një nga misteret e mëdha në historinë
e Kishës.
“Një nga Papët më të mëdhenj, që e kanë nderuar Selinë romake”.
Me këto fjalë e nisi Benedikti XVI përshkrimin e figurës së Shën Leonit të Madh në
katekizmin e audiencës së përgjithshme të 5 marsit 2008. Roli i pasardhësit të
Shën Pjetrit është unik në Kishë, sepse “një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu
komunikua të gjithë apostujve”, pohon Papa Racinger, duke cituar një nga predikimet
më të bukura të Shën Leonit të Madh, ipeshkvit të parë të Romës me emrin Leon, Papës
së parë, predikimet e të cilit kanë arritur deri në ditët tona. E nga këto predikime,
Benedikti XVI kujton posaçërisht fjalën e mbajtur nga Leoni i Madh në Koncilin e Kalçedonisë,
në vitin 451, i cili ngjalli aq shumë emocion e entuziazëm, sa Etërit e Kishës pohuan
njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën e Leonit”:
“Posaçërisht
nga ky fjalim, e nga të tjerë, mbajtur gjatë polemikës kristologjike të këtyre viteve,
Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit të Pjetrit, roli i të cilit është
unik në Kishë, sepse një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë
apostujve, siç pohon Leoni në një nga predikimet e tij, mbajtur në festën e Shën Pjetrit
e të Shën Palit. Tregon kështu, se ushtrimi i parisë së Pjetrit ishte i nevojshëm
asokohe, ashtu siç është i nevojshëm edhe sot, për t’i shërbyer bashkimit, karakteristik
për Kishën e vetme të Krishtit”.
Të kujtohet vetvetiu figura e tij edhe
në kontekstin e audiencave të përgjithshme të së mërkurës – na kujton Benedikti XVI
– takime që, në dhjetëvjeçarët e fundit janë bërë një formë e zakonshme e komunikimit
me besimtarët e me vizitorë të tjerë nga të katër anët e botës. Të kujtohet, sepse
Leoni ishte predikatar i madh, që ndiqej me interes nga mijëra besimtarë:
“Posaçërisht
Leoni i Madh u mësoi besimtarëve të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për
ne – se liturgjia e krishterë nuk është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim
i realiteteve të padukshme, që veprojnë në jetën e secilit. Ai ishte njeri i paqes
e i dashurisë. Na mëson, kështu, rrugën në të cilën duhet të ecim: në fe, mësojmë
dashurinë”.
Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet – vijoi të kujtonte
Benedikti XVI - mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës. E kjo, jo
vetëm pse theksoi me forcë përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht sepse
këtë përgjegjësi diti ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje, duke
ndërhyrë me maturi, vendosmëri e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe përmes
legatëve të tij. Mbeti kështu në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta kumtojë
me sukses Ungjillin edhe në kohë tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur ngushtë
liturgjinë, me jetën e përditshme të të krishterëve.