2011-11-09 14:46:12

Papa u shpreh afërsinë e tij popullsive të dëmtuara nga koha e keqe, posaçërisht në Amerikën Qëndrore.


Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa foli përsëri për kohën e keqe, me reshje të jashtëzakonshme, që po shkakton përmbytje në shumë vise të botës.RealAudioMP3
Benedikti XVI kujtoi sot, posaçërisht, zonat e Amerikës Latine, sidomos të asaj Qendrore, deri në Jug-lindjen aziatike, të dëmtuara rëndë nga shirat e rrëmbyera, përmbytjet, vërshimet e shkarjet e dheut. Këto fenomene vijojnë të shkaktojnë shumë të vdekur, të humbur e të pastrehë, njerëz, të cilët panë t’u shembej gjithçka kishin krijuar një jetë të tërë e disa herë, edhe vdekjen e të dashurve:
“Edhe një herë dëshiroj t’u shpreh afërsinë time të gjithë atyre, që vuajnë për shkak të këtyre fatkeqësive natyrore. E ndërsa ftoj për lutje e solidaritet ndaj viktimave e familjarëve të tyre, i nxis institucionet dhe njerëzit vullnetmirë të bashkëpunojnë me shpirt bujar për t’i ndihmuar mijëra të dëmtuarit, të vënë në provë të rëndë nga fatkeqësi të tilla natyrore”.

Në Amerikën Qendrore, në Guatemalë, po bëhen përpjekje për t’i lehtësuar sa më shpejt pasojat e dëmeve, shkaktuar nga vërshimet. Të dëgjojmë ambasadorin guatemalas pranë Republikës së Italisë, Alfredo Trinidad:
“Gjysëm milioni njerëz janë dëmtuar në mënyra të ndryshme nga përmbytjet, e ka akoma të humbur që, falelënderojmë Zotin, nuk janë të shumtë. Deri tani numrohen 34 të vdekur e 23 mijë të shpërngulur. Në ndihmë tonë po lëvizin Fao (Programi Ushqimor Botëror) dhe Bashkimi Evropian. Por po kërkojmë ndihmë edhe nga vendet mike, që na kanë mbështetur gjithnjë, siç është rasti i Italisë, që na ndihmoi shumë vitin e kaluar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.