Me 9 nëntor kalendari kujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, katedrala
e Romës.
Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet: “Pyeti atëherë
prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi e ku na pëlqen;
ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është ashtu, sepse
Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një vend të vetëm;
Ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo nga ata që besojnë
në Të”. Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste para gjykatësit,
atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po vjen koha kur nuk
do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni,
ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha
– e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në vërtetësi”
(Gjn. 4, 21-24). Festa e sotme, që na kujton ditën kur Bazilika e Lateranit në
Romë iu kushtua Shëlbuesit Jezus, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë së Shën
Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për detyrë
të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja për t’u
mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit dhe
të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke zbatuar në jetë fjalët
e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin
tim!” Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk
njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë
me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë, ndërmjet të
cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit në Lateran,
e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë së Madhe në
Eskuilin. Bazilika Lateranense u themelua nga Papa Melkiadhi (311-314) në trojet
e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens, asokohe seli perandorake,
më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha kishave të Romës e të Botës’.
Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe u rindërtua. Në këtë Kishë
dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës) u kremtuan pesë koncile
kishtare, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512. Bazilika e Shën
Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishterëve të shekujve të parë, që kishin
nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar Fjalën
e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha kohërave,
pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne vetë”.