2011-11-09 18:05:57

Konferenca ndërkombëtare mbi qelizat burimore të rritura. Kardinali Ravazi fton të shikohet përtej mjekësisë.


Tri ditë, për të diskutuar mbi “Qelizat burimore të rritura: shkenca, ardhmëria e njeriut dhe e kulturës”. Kjo është tema e Konferencës ndërkombëtare, që filloi sot në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, me nismën e Këshillit Papnor të Kulturës dhe të Fondacionit “Stem for Life” (Qelizat për jetën), shoqëri farmaceutike amerikane, partnere në këtë nismë. Takimi u paraqit dje në Sallën vatikanase të Shtypit nga kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i dikasterit nismëtar, së bashku me përgjegjësin e departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën, don Tomash Trafni dhe doktoreshën Robin Smith, administratore-delegate e NeoStem.

“Do të ndiqet si ngjarje e madhe kulturore e shkencore, ky takim” nënvizoi dje atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit. Ndërsa për karakterin ndërdisiplinor të takimit, që përfshin edhe Këshillin Papnor për veprimtarët baritorë si dhe Akademinë e Jetës, të dëgjojmë kardinalin Ravazi:
“Kur është fjala për fenomene, të cilat po i quajmë mjekësore, çështja nuk është kurrë vetëm mjekësore. Nuk është kurrë thjesht biologjike, thjesht teknike: është çështje – si të themi – simbolike; përfshin një kompleks realitetesh, të cilat e kapërcejnë atë, që është thjesht e pastërtisht fiziologji”.
Në mënyrë të posaçme, shton Hirësia e Tij, kur bëhet fjalë për një temë kaq delikate, kaq të ndërlikuar, në kontakt të përhershëm me bioetikën:
“Prej këndej, duhet pohuar se nevoja e një vizioni kulturor më global është gati-gati në rendin e sendeve. Shkenca e madhe sot lëviz duke ua vënë veshin shumë zërave, pa u ndaluar vetëm tek teknika”.
Tri, janë qëllimet e Konferencës, sipas don Tomash Trafnit, përgjegjës i departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën. Së pari, paraqitja e arritjeve të shkencës në fushën e qelizave burimore të rritura; së dyti, nxitja e shkencave humane për reflektim në fushën filozofike, teknologjike, sociologjike, edukative e kulturore; së treti, përpjekja për ta bërë problemin sa më të kuptueshëm për publikun e gjërë, duke e kapërcyer rrethin e ngushtë të specialistëve.
Janë më se 30, referuesit. E jo vetëm mjekë e shkencëtarë, por edhe përfaqësues të kulturës, krerë politikë, diplomatë, anëtarë të organizatave ndërkombëtare, sipërmarrës e të sëmurë, që kanë rifituar shëndetin, falë mjekimeve të bazuara mbi qelizat burimore të rritura.
“We will be many voices moine together…
“Do të jemi shumë zëra, bashkuar në një zë të vetëm”, pohon me entuziazëm doktoresha Robin Smith, sepse kauza jonë është e ngutshme. Në botën e sotme numërohen 12 milionë e 700 mijë të sëmurë nga kanceri; 346 milionë diabetikë e 583 milionë të sëmurë nga imunodefiçencat. E, të mos harrojmë, pas secilës nga këto statistika, janë njerëzit e gjallë, që vuajnë shumë, por edhe që kanë nisur të shpresojnë shumë.

Disa sqarime me karakter terminologjik shkencor, për ta kuptuar më mirë rëndësinë e takimit në Vatikan:
Qelizat staminale apo burimore, kanë disa nënlloje. Një prej tyre është qeliza totipotente, që mund të shndërrohet në çdo lloj qelize, edhe në pluripotente apo qelizë amë, me aftësi të vazhdueshme ndarjeje. Synohet që përmes këtij lloji, të prodhohet një sasi të pakufizuar e grupit të gjakut 0 Rh negativ, tejet i rrallë në botë.
Kemi, pastaj, qelizat multipotente, që kanë aftësi të shndërrohen në disa lloj qelizash, por jo në të gjitha. Së fundi, kujtojmë qelizat unipotente, që gjinden në shtresën e fundit të lëkurës dhe që, herë pas here, e ripërtërijnë atë.
Një kasifikim tjetër është ai, që i ndan qelizat burimore në dy grupe: embrionale e të rritura. Embrionalet po përdoren gjithnjë më shumë për eksperimente, në shërbim të disa sëmundjeve deri më sot të pashërueshme. Mendohet se ndikojnë tejet pozitivisht në shërimin e kancereve të gjakut. Ashtu si dhe qelizat e kordonit kërthizor. Por eksperimentet me qeliza burimore embrionale kanë ngjallur diskutime të forta të tipit etik, sepse shkatërrojnë jetë njerëzore, duke iu kundërvënë së drejtës themelore të njeriut për jetën, që nga zënia, në vdekjen e natyrshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.