2011-11-09 16:30:57

Kardinali Koch kujton Mitropolitin ortodoks Damaskinos: promotor i mirëkuptimit ndërmjet katolikëve e ortodoksëve


Një mik i sinqertë dhe i përzemërt: kështu, me pak fjalë, kardinali Kurt Koch, president i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, e kujton peshkopin Damaskinos, i cili nga viti 1982 deri më 2003 qe Mitropolit i parë ortodoks i patrikanës ekumenike në Zvicër, që ndërroi jetë më 5 nëntorin e kaluar. Në letrën e ngushëllimit dërguar Patrikut ekumenik të Kostandinopojës Bartolomeut I, kardinali Koch nënvizon posaçërisht angazhimin e pareshtur të Damaskinos për dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, “dashurinë që kishte për Kishën dhe interesimin e pasionuar që tregoi për kërkimin e bashkimit të të krishterëve”. Njeri i urtë e me “formim të shkëlqyeshëm”, shkruan kardinali Koch, Mitropoliti i ndjerë u angazhua në mënyrë aktive “në favor të mirëkuptimit e të bashkëpunimit të anasjelltë ndërmjet ortodoksëve e katolikëve”. Marrëdhënien e tij me dikasterin e Vatikanit për Bashkimin e të krishterëve qenë përherë “intensive e shumë të përzemërta”. Edhe Papa Benedikti e pat vlerësuar veprimtarinë e Damaskinos më 1 shkurt 2007 gjatë audiencës së Fondacionit për Kërkim e Dialog ndërfetar, që aso kohe drejtohej pikërisht nga Damaskinos. Kujtojmë se ceremonia e varrimit të Mitropolitit do të kremtohet nesër në Chambésy, në Zvicër.







All the contents on this site are copyrighted ©.