2011-11-09 14:27:06

Ipeshkvijtë e Shqipërisë shqyrtojnë situatën kishtare e shoqërore në vend


Këtyre dy ditëve, më 8 e 9 nëntor në Tiranë u mbajt mbledhja plenarja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, në të cilën morën pjesë të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, si dhe me shkëlqesia e tij imzot Ramiro Moliner Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri e dy ipeshkvij tjerë si vëzhgues, kryeipeshkvi i Tivarit dhe ipeshkvi i Kosovës.
Në Asamblenë e ipeshkvijve të Shqipërisë u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike në Shqipëri si dhe me nisma për përvjetorë të ndryshme që bien këtë vit si dhe në vitin e ardhshëm. Më konkretisht pas një paraqitjeje dhe përshëndetjes së Imzot Mirditës dhe Nuncit Apostolik u diskutuan çështje si diakonati permanent, kremtimi i 50 vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, takimi i ‘Oborrit të Paganëve’ nismë e Këshillit papnor për kulturën që do të zhvillohet më 14 e 15 nëntor në Tiranë e tjera.
Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë diskutuan pastaj mbi edicionin e ri të Mesharit Romak ( librit liturgjik të Meshës), rreth procesit të kanonizimit të martirëve shqiptarë, rreth botimit në shqip të katekizmit të Kishës katolike.
Gjithnjë në qendër të takimit të ipeshkvijve shqiptarë ishte edhe 1700 vjetori i ediktit të Kostandinit, pastaj letra apostolike ‘Porta Fidei’ me të cilën Papa Benediktit XVI e shpall Vitin e Fesë (tetor 2012 – nëntor 2013); gjithnjë vitin e ardhshëm bie 950 vjetori i dioqezës së Sapës, e 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Sot më 9 nëntor në Asamblenë Plenare të ipeshkvijve të Shqipërisë u diskutua puna e komisioneve të ndryshme të KISH gjatë këtij viti.
Kujtojmë se kjo asamble plenare e zakonshme e vjeshtës, vjen menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) e cila mbajti punimet e saj në Tiranë nga 29 shtator – 2 tetor 2011 mbi temën e Ungjillëzimit të Ri në Evropë. Edhe episkopati shqiptar është i angazhuar në këtë nismë të gjithë Kishës Universale si dhe të Kishës që është në Evropë.
Në ditën e parë, më 8 nëntor, ipeshkvijtë shqiptarë diskutuan në mënyrë të veçantë rreth çështjes së diakonatit permanent si dhe të kremtimit të 50 vjetorit të Koncilit II Vatikanit.
Për diakonatin permanent nga ana e ipeshkvijve të Shqipërisë nuk u pa e arsyeshme që ai të jetë një mundësi aktualisht, pasi ende nuk është pjekur situata për një gjë të tillë.
Ndërsa për sa i përket Koncilit të II të Vatikanit, ipeshkvijtë mendojnë se deri në pranverë të vitit të ardhshëm do të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe dokumentet e këtij Koncili të rëndësishëm kishtar. E gjitha kjo edhe në përputhje me Vitin e Fesë shpallur nga Papa Benedikti XVI me letrën apostolike “Porta fidei”.
Kujtojmë se Koncili II i Vatikanit u zhvillua nga viti 1962 deri më 1965 e në këtë ngjarje madhore t ë jashtëzakonshme Kishtare ipeshkvijtë e Shqipërisë nuk qenë lejuan nga diktatura komuniste të shkonin në Vatikan për të marrë pjesë. Pastaj historia e Kishës në Shqipëri si edhe ajo e të gjithë qytetarëve tjerë dihet siç vijoi e kështu dokumentet, vendimet dhe reforma që solli Koncili II i Vatikanit në Kishën katolike, në Shqipëri kanë arritur vetëm më rënien e diktaturës e rifitimin e lirisë më 1990/91.
Një çështje tjetër e diskutuar ishte ajo e censusit. Janë vërejtur gjatë procesit të regjistrimit disa probleme si p.sh. nga informacionet e ardhura ka pasur persona që nuk janë regjistruar fare, të tjerë kanë pasur frikë të regjistrohen apo nuk janë përgjigjur. Për këtë arsye është menduar që pavarësisht nga rezultati i censusit duhet edhe ne të bëjmë një proces regjistrimi të familjeve tona në mënyrë që të kemi një perceptim më të saktë të realitetit.

Fenomeni i varfërisë është një fenomen që shqetëson edhe barinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri. Sidomos në zonat e thella malore. Duhet nxitur edhe një kulturë pune e sidomos vlerësimi mbi pasuritë natyrore që ka në veri të vendit e të cilat nga lëvizjet demografike të shumë zonave janë lënë në mëshirë të fatit.

Lidhur me këtë edhe fenomenet e kriminalitetit si dëshirë për të fituar e për të siguruar jetën duhet të jenë në qendër të veprimit të Kishës në edukimin e brezave të rinj. Dukuri si droga, prostitucioni, lojërat e fatit po shkatërrojnë familje të tëra për shkak të dhunës, humbjes së pasurisë, shtëpive e banesave, vrasjeve dhe vetëvrasjeve.

Në mëngjesin e sotshëm u diskutuan çështje si ajo e letrës së Kongregatës së Fesë lidhur me normat udhëzuese mbi abuzimet seksuale të klerikëve ndaj të miturve. Një komision kanonistësh do të ngrihet për këtë problem i kryesuar nga Ipeshkvi Ndihmës i Tiranës Imzot George Frendo O.P.
Gjithashtu është menduar të bëhet edhe një kërkesë për nderimin e Gjon Palit II në Shqipëri si i Lumë. Po ti kthehemi Asamblesë Plenare të Ipeshkvijve të Shqipërisë e të dëgjojmë zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore dom Gjergj Metën.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.