2011-11-09 16:04:35

Alfabeti i ligjit të Zotit. Papa ia kushton audiencën e përgjithshme psalmit 119, këngës madhështore të Ligjit të Hyjit.


Psalmi 119 është ndërtuar sipas strukturës së alfabetit hebraik, ky psalëm është “një këngë solemne e madhështore e Torah-ut të Zotit, do të thotë mbi Ligjin”. Këtë nënvizoi Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 9 nëntorit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Torah – shpjegoi – është dëftim, është Fjalë e Zotit që e interpelon njeriun dhe provokon përgjigjen e dëgjesës së tij të bindur e plotë dashuri”.“Ligji i Zotit nuk kërkon që njeriu ta zbatojë me bindjen e skllavit, por me gatishmërinë e birit”. E pohoi këtë Benedikti XVI, duke komentuar, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Psalmin 119. Në reflektimin e tij, Papa i ftoi meshtarët ta rizbulojnë bukurinë dhe forcën e celibatit.
Psalm i gjatë, i ndërlikuar, i 119-ti. Himn, që shpreh me forcë prekëse poetike, një realitet feje, sa të thjeshtë, aq edhe të thellë. Kush ia vë veshin Zotit dhe jeton sipas Fjalës së Tij, ka gjithçka: jetë, shpresë, ngushëllim, gëzim.
Benedikti XVI kujtoi para mijëra besimtarëve, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit, këngën madhështore e solemne, që buron nga 176 vargjet e Psalmit 119, sipas traditës hebraike (118, sipas asaj greko-latine). Këngë e pashoqe në llojin e vet, e quajti Papa, që i kushtohet e tëra madhështisë së Torah, domethënë të ligjit hyjnor:
“Dashuria për Fjalën e Zotit e përshkon tejpërtej gjithë Psalmin, i cili kremton pikërisht bukurinë e kësaj Fjale, forcën e saj shpëtimtare, aftësinë për të dhuruar gëzim e jetë. Sepse ligji hyjnor nuk është zgjedhë e rëndë e skllavërisë, por dhuratë e hirit, që të bën të lirë e të lumtur”.
Është, pra ligj, i cili bën njerëz të lirë, e jo skllevër. Zoja e Bekuar, shpjegoi Papa, qe krijesa e parë, që e kuptoi dhe e jetoi plotësisht këtë të vërtetë. Ajo, shtoi Ati i Shenjtë, qe rojtare plot vëmendje e dashuri e Fjalës së Zotit, prandaj i mëson gjithnjë të krishterit ç’qëndrim duhet të mbajë ndaj urdhërimeve të Hyjit:
“Ligji i Zotit kërkon ta dëgjosh me zemër. Nuk është dëgjesë prej skllavi, por bindje, bijnore, besimplote, e vetëdijshme. Dëgjimi i Fjalës është takim personal me Zotin e jetës, takim që duhet të shprehet me vepra konkrete, të përditshme”.
Duke vijuar reflektimin, Papa u ndalua tek një varg i veçantë i Psalmit, i cili, komentoi, është si fjalor i vërtetë i marrëdhënieve besimplote ndërmjet njeriut e Zotit. Është fjala për vargun 57, që pohon: “Zoti është pjesa e trashëgimit tim” e që u drejtohet posaçërisht priftërinjve të fisit hebraik të Levit të cilët, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, duke qenë ndërmjetësues mes njeriut e Zotit, nuk mund të ishin pronarë tokash, sepse Toka e tyre ishte vetë Zoti, prej këndej, duhej t’ia besonin drejtpërdrejt atij të gjitha nevojat e tyre:
“Këto vargje kanë rëndësi të madhe edhe sot e kësaj dite për ne të gjithë. Posaçërisht vlejnë për meshtarët, që janë të thirrur të jetojnë vetëm me Zotin e me Fjalën e tij, pa asnjë siguri tjetër, duke e pasur Atë si pasurinë e vetme, të vetmin burim jetese. Në këtë dritë kuptohet zgjedhja e lirë e celibatit për Mbretërinë e qiejve, bukuria dhe forca e të cilit duhen rizbuluar”.
Por ky Psalm nuk u drejtohet vetëm priftërinjve. Është një thirrje e vërtetë për çdo besimtar. U kujton të gjithëve se duhet ta jetojnë plotësisht Ungjillin, se duhet të besojnë në Zotin e në forcën e Fjalës së Tij, përfundoi Papa, e kështu të jetojnë me të, në bashkim e në gëzim:
“Ta lemë, pra Zotin, të na e mbushë zemrën plot me dashuri për Fjalën e tij e të na nxisë ta kemi gjithnjë në qendër të jetës sonë Atë e vullnetin e Tij të shenjtë. T’i lutemi, që lutja jonë dhe e gjithë jeta jonë, të ndriçohen nga Fjala e Zotit, llambë për hapat tonë e dritë për shtegtimin tonë, siç këndon Psalmi 119, e kështu hapat tonë do të jenë të sigurtë mbi tokën e njerëzve”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme Misionarëve Verbitë dhe ushtarakëve të Brigadës së Granatierëve të Sardenjës, që e mbushën me tinguj gazmor Sheshin e Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.