2011-11-08 16:19:43

Qelizat staminale: shkencëtarët në Vatikan për të reflektuar mbi kufijtë etikë të përdorimit të tyre


Përparimet në punën kërkimore-shkencore për qelizat staminale (burimore) të rritura, përdorimi i të cilave nuk sjell shkatërrimin e embrioneve; zbatimet mjekësore të rezultateve dhe aspektet etike, filozofike, ekonomike lidhur me këtë fushë, do të jenë në qendër të një kuvendi ndërkombëtar, i cili do të fillojë nesër në Vatikan e do të përfundojë më 11 nëntor. Iniciativa u paraqit sot paradite e organizohet nga Fondacioni “Stem for Life” (Qelizat për Jetën), degë jofitimprurëse e firmës biofarmaceutike ndërkombëtare “NeoStem”, nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe nga “Stoq”, organizatë, që ka për qëllim nxitjen e dialogut ndërmjet Kishës dhe kulturës bashkohore.
Në këtë takim, do të marrin pjesë 30 relatorë dhe shumë pacientë, që kanë përfituar nga përdorimi i qelizave staminale. “Kur flitet për mjekësi – theksoi sot paradite kreu i dikasterit vatikanas për Kulturën, kardinali Gjanfranko Ravazi – çështja nuk është kurrë vetëm mjekësore, biologjike, apo teknike: është çështje simbolike, e cila përqafon një realitet të ndërlikuar”.
Dy janë qëllimet kryesore të kuvendit, siç shpjegoi përgjegjësi i departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën, don Tomash Trafni. Së pari, paraqitja e nivelit të shkencës në fushën e qelizave staminale të rritura, duke e ndërthurur me reflektime, që vijnë nga shkenca të tjera humane. Së dyti, hapja e një kanali komunikimi ndërmjet shkencës dhe publikut të gjerë. Një nga reflektimet interesante, që Vatikani do të propozojë gjatë kuvendit, është shtrirja e betimit të Hipokratit për të gjitha shkencat, që merren me jetën. Respekti absolut për jetën, që Hipokrati u imponon mjekëve, tha don Trafni, e bën të paligjshëm përdorimin e qelizave staminale embrionale dhe duhet t’i shtyjë shkencëtarët të impenjohen më shumë për të kuptuar gamën e përdorimit të qelizave staminale të rritura.
Në përfundim të punimeve, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do të jepet një koncert nga Kapela Muzikore Papnore Sikstina, drejtuar nga dirigjenti Masimo Palombela. Do të jetë me dyer të hapura për të gjithë e jo vetëm për pjesëmarrësit e kuvendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.