2011-11-08 10:00:06

Më 8 nëntor kalendari kujton të Lumin Gjonin Duns Skot.


I Lumi Gjoni Duns Skot, teolog i famshëm mesjetar, lindi në vitin 1265 në Skoci, prej nga mori edhe llagapin (mbiemrin) Skot, apos skocez. Rreth vitin 1280 hyri në Urdhrin Françeskan, ndërsa meshtar i shugurua nga ipeshkvi i Linkolnit në vitin 1291. Studioi për shumë vjet në Universitetin e Kembrixhit e në atë të Parisit.
Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger, Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e me shën Bonaventurën. Qëllimi i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë, i Lumi Gjoni Duns Skot e paraqet teologjinë si shkencë praktike, shkencë që i prin njeriut drejt dashurisë.
I quajtur “doktor subtilis” – “dijetar i hollë” për mprehtësinë e tij gjeniale dhe “doktor marianus” – “dijetar marian” për devocionin që pati ndaj Zojës së Bekuar të Papërlyer, zënies pa faj të së cilës i kushtoi një nga veprat e veta më të rëndësishme. Vdiq më 8 nëntor të vitit 1308 në Këln të Gjermanisë. Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20 mars 1993 duke e quajtur “këngëtar të Fjalës së Mishëruar e mbrojtës të të Zënit të Papërlyer të Marisë". Trupi i tij pushon në kripten e Kishës së fretërve të vegjël në Këln.







All the contents on this site are copyrighted ©.