2011-11-08 16:18:38

Filloi vizita “ad Limina” e ipeshkvijve amerikanë në Vatikan. Imzot Matano: feja është faktor lirie për shoqërinë


Filloi dje në Vatikan dhe do të vazhdojë deri të shtunën, vizita “ad Limina” e ipeshkvijve amerikanë të Rajonit I. SHBA-të përjetojnë në këtë çast, ashtu si krejt bota perëndimore, epokën e presioneve të atyre, që do të dëshironin ta zhduknin fenë nga sfera publike. Se cili është qëndrimi i Kishës Katolike për këtë pikë, na e shpjegon në mikrofonin tonë, ipeshkvi i Bërlingtonit, imzot Salvatore Ronald Matano:
Më duket se qëndrimi ynë është njësoj me të gjithë ata, që besojnë në Jezu Krishtin, në Ungjillin e Tij dhe, mendojnë se shpallja e këtij Ungjilli është e domosdoshme për jetën. Ne nuk i konsiderojmë mësimet e Jezusit pengesa për lirinë, por si liri, që i qëndron kohës dhe nuk vlen vetëm për një kulturë të caktuar, për një ideologji të vetme, ose për një epokë. Flas për atë liri, që na jepet nga Zoti, i cili na quan Bij të Tij e, përmes Pagëzimit, na pranon si pjesë e familjes së vet. Pra, dialogu ndërmjet fesë dhe sferës politike, mediatike e edukative ka si qëllim t’i zgjerojë kufijtë e kulturës dhe të na japë një perspektivë, që shkon përtej njerëzores. Siç shihet qartë, krishterimi ofron diçka, që s’është pengesë, por tharm për shoqërinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.