2011-11-07 17:37:35

Në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI kërkoi t’i jepet fund dhunës në Nigeri dhe i shprehu afërsinë popullsisë gjenoveze, dëmtuar nga përmbytjet.


“T’i jepet fund çdo dhune”: është thirrja e Papës i cili, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi Nigerinë, tronditur thellë këto ditë nga sulme terroriste në zonën veriore të vendit, që shkaktuan vdekjen e më se 150 personave. Benedikti XVI u shprehu afërsinë e tij këtyre popullsive të largëta afrikane, por edhe popullsive të afërta të Gjenovës, dëmtuar rëndë nga përmbytjet.
Para se të fliste për kohën me reshje të paprera në Italinë Veriore dhe situatën dramatike në Nigeri, Papa reflektoi për jetën e pasosur, duke pohuar se kush beson në Zotin-Dashuri, ka në shpirt një shpresë të pathyeshme.

Benedikti XVI është shpirtërisht pranë viktimave të dhunës e të kohës së keqe. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për rivendosjen e paqes në Nigerinë e tronditur nga dhuna, që vijon të mbjellë vdekje e shkatërrim:
“Ndjek me vëmendje ngjarjet tragjike të ditëve të kaluara në Nigeri e, ndërsa lutem për të vdekurit, i ftoj të gjithë t’i japin fund dhunës, sepse dhuna nuk mund t’i zgjidhë problemet, përkundrazi, krijon probleme të reja, duke mbjellur farën e urrejtjes e të përçarjes edhe ndërmjet besimtarëve”.
Më pas, në sa mbi Sheshin e Shën Pjetrit ndriste një diell i vaktë, i këndshëm vjeshtarak, mendimi i Papës shkoi në viset veriore të Italisë, të rrahura nga shiu i rrëmbyer e të dëmtuara rëndë nga përmbytjet. Me emocion të thellë, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht banorëve të Gjenovës, qytetit të mbytur në ujë:
Nuk mund të mos mendoj sot për qytetin e Gjenovës, dëmtuar rëndë nga përmbytja. Ju siguroj se lutem për viktimat, për familjarët e për të gjithë ata, që pësuan dëme të rënda. Zoja e Rojës e ndihmoftë popullsinë e dashur gjenoveze në impenjimin solidar për ta kapërcyer këtë provë”.
Pas fjalëve kushtuar të përmbyturve të Gjenovës e të mbyturve të Nigerisë, Papa reflektoi për jetën e amshuar. Kjo pikë, nënvizoi, tregon qartë ndryshimin ndërmjet njeriut, që beson e atij, që nuk beson, ose më mirë të themi, ndërmjet atij, që shpreson e atij, që nuk ka kurrfarë shprese. Besimi në vdekjen e në ngjalljen e Jezu Krishtit, ripohoi Ati i Shenjtë, shënon, edhe në këtë fushë, një vijë ndarëse ndërmjet njeriut, që beson, e atij, që nuk njeh Zot:
“Në se e zhdukim Zotin, në se e heqim Krishtin, bota rrokulliset në zbrazësirë, në greminë, në errësirë. E kjo vërehet edhe në shprehjet e nihilizmit bashkëkohor, nihilizëm shpesh herë i pavetëdijshëm, por që, për fat të keq, moleps shumë të rinj”.
Duke u ndaluar tek Ungjilli i së dielës, e pikërisht tek Shembëlltyra e dhjetë vashave të ftuara në një dasëm, Papa shpjegoi simbolin e vajit, pa të cilin nuk mund të pranohesh në gostinë e madhe të jetës:
Urti e vërtetë do të thotë të përfitosh nga jeta e vdekshme, për të kryer vepra mëshire, sepse pas vdekjes një gjë e tillë është pamundur”.
Kur të rizgjohemi nga gjumi i mortjes, për të dalë para gjyqit të mbramë, shpjegoi Papa, do të gjykohemi pikërisht mbi bazën e dashurisë së praktikuar gjatë jetës tokësore:
“E kjo dashuri, dhuratë e Krishtit, ndikohet në shpirtin tonë nga Shpirti Shenjt. Kush beson në Zotin-Dashuri, ka në shpirt një shpresë të pathyeshme, një llambë, që ndrin shtegun e verbër të natës përtej vdekjes, duke treguar udhën kah festa e madhe e jetës”.Duke përshëndetur shtegtarët në gjuhën spanjolle, Papa kujtoi se sot përkujtohet njëvjetori i ditës, kur pati gëzimin të kushtojë bazilikën famëmadhe të Sagrada Familia, vepër e mrekullueshme teknike, bukurie e feje e arkitektit gjenial, Antonio Gaudì.







All the contents on this site are copyrighted ©.