2011-11-07 17:38:19

Masakra e “talebanëve të Afrikës” shkakton mëse 150 viktima në Nigeri


Rritet numri i viktimave të së premtes së përgjakur në Nigeri, për të cilat bëri thirrje edhe Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, siç e dëgjuam. Kujtojmë se një sërë sulmesh me bomba e mitralozë në veri të vendit, vepër e milicëve të sektit fondamentalist islamik Boko Haram, që përkthyer fjalë për fjalë do të thotë “edukimi perëndimor është mëkat”, u vunë zjarrin lagjeve të tëra në Damaturu, kryeqyteti i shtetit të Yobe-s. Të vdekurit e kanë kaluar shifrën 150, ndër të cilët edhe nëntë policë, ndërsa të plagosurit janë me qindra.
Furia e terroristëve nuk kurseu as myslimanët. Përveç kishave e kazermave të policisë, u shkatërruan edhe disa xhami. Sulmet në Damaturu erdhën pas katër atentateve në qytetin e afërt, Maiduguri, njëri prej të cilëve vetëvrasës. Po ç’është ky grup fondamentalist, bashkëpunëtor i Al Kaedës, objektivi i të cilit është imponimi i ligjit islamik, sharisë në të gjithë Nigerinë? Të dëgjojmë kryeipeshkvin nigerian të Josit, imzot Ignatius Ayau Kaigama:RealAudioMP3

Është një grup fanatikësh, që unë e quaj lëvizje kundër shoqërisë. Edhe vetë myslimanët mendojnë se ky grup ka prirje kriminale. Kërkesat e tyre janë absurde; sulmojnë pa dallim, duke vrarë të krishterë e myslimanë, duke u përpjekur të shkatërrojnë çdo lloj rendi ekzistues. Qeveria nigeriane duhet ta përballojë këtë situatë me vendosmëri, përndryshe nuk do të arrijë t’i çrrënjosë. Duhet shkuar në bazat e problemit, sepse këto sulme nuk janë të reja e mund të përsëriten. E nuk mendoj se në këtë rast nevojitet dialogu, sepse ata sulmojnë e vrasin: thjesht, këtu fjalën duhet ta ketë ligji.

Thuhet se gjatë viteve të fundit, organizata ‘Boko Haram’ ka rekrutuar të rinj, që vijnë nga shtresat më të varfëra të shoqërisë. Në qendrat e lëvizjes, pas lutjes, u jepet njerëzve të hanë. A është e vërtetë se duke shfrytëzuar dëshpërimin e tyre, të rinjtë janë përdorur për të ushqyer rivalitetin etnik?

Jam dëshmitar për këtë. Vërtet, javës së kaluar, një grup të rinjsh, të krishterë e myslimanë, erdhën në zyrën time për të më thënë se ishin instrumentalizuar nga të tjerë për të mbjellur dhunë në territor, por donin të dilnin nga kjo gjendje. Më thanë se ishin përdorur nga pleqtë e vendit, nga politikanët e nga krerët fanatikë fetarë, por donin të dilnin nga kjo spirale. Dje mora pjesë në një takim ndërmjet përfaqësuesve myslimanë e të krishterë me gjeneralin e ushtrisë dhe të gjithë duam paqen. Prandaj, dua të besoj se pas kësaj vale dhune, gjatë së cilës humbën jetë njerëzish e u shkatërruan pasuri, ekziston vullneti për t’u kthyer mbrapsht e për të filluar gjithçka nga e para. Është e nevojshme të zgjidhim problemet, që qëndrojnë në bazën e kësaj dhune: probleme politike, etnike e madje, edhe fetare. Mendoj se përpjekja, që po bëhet në këtë drejtim, është e sinqertë.








All the contents on this site are copyrighted ©.