2011-11-07 19:06:20

Kisha Katolike e ritit lindor në trevat shqiptare


Në atmosferën e Oradeas, duhet kujtuar se Kisha e ritit lindor është e pranishme edhe ndër shqiptarët, posaçërisht ndër arbëreshët, të cilët janë të organizuar në tre Qarqe Bizantine: Heparkia e Ungros, e Horës së Arbëreshëve si dhe Manastiri Ekzarkik i Shën Marisë, në Grota Ferrata (Itali). Disa nga barinjtë më të njohur të arbëreshëve janë: Arkimandriti, Profesor Atë Manuel Nin; Arkimandriti Donat Olivieri; Monsinjor Natale Loda; imzot Ercole Lupinaçi, ipeshkëv nderi i Ungros; Imzot Sotir Ferrara, ipeshkëv i Horës së Arbëreshëve; Papas Emmanuel Xhordano, figurë e njohur e kulturës arbëreshe; Atë Emiliano Fabrikatore, ekzark i abacisë së famshme të Grota Ferratës.
Nuk mund të mos kujtojmë edhe figurën e ndritur të monsinjor Eleuterio Fortinos, që kreu për shumë vjet misionin e zëvendës-sekretarit të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Zëri dhe veprimtaria e monsinjorit të ndjerë i mungojnë shumë Kishës universale, asaj ndër shqiptarë e edhe Radio Vatikanit, që ruan në arkiv, një numër të madh intervistash të Prelatit të ndjerë arbëresh.
Kujtojmë edhe të krishterët e ritit lindor në Elbasan, që i dhuruan Kishës katolike martirin e fesë, atë Josif Papamihalin (1912-1948) varrosur për së gjalli në baltat e Kënetës së Maliqit, si dhe veprimtarinë e motrave baziliane, të lidhura me ritin lindor, të cilat tashmë kanë disa shtëpi në vise të ndryshme të Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.