2011-11-07 17:39:00

Greqia e Italia, problematike në Evropë: cili do të jetë fati i euros?


Greqia e Italia vazhdojnë ta shqetësojnë botën, për brishtësinë me të cilën po përballojnë krizën ekonomike. Kryeministri grek Papandreu dha dorëheqjen mbrëmë, për t’i dhënë mundësinë një qeverie të bashkimit kombëtar, me në krye ish-zv.drejtorin e Bankës Qendrore Evropiane, Lukas Papademos t’u garantojë tregjeve ndërkombëtare vazhdimin e politikës së sakrificave, kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për daljen nga kriza. Më 19 shkurt, në Greqi do të zhvillohen zgjedhjet e reja.
Ndërkaq, në Itali, pavarësisht nga zërat, që flasin për dorëheqjen e kryeministrit aktual, Silvio Berluskoni, ky i fundit deklaron se do të vazhdojë të qëndrojë në karrigen e tij, derisa të ketë akoma shumicën e votave në parlament. Ndër deputetët italianë ka filluar një shitblerje e turpshme votash e më shumë se ekonomia, tregjet ndërkombëtare i shqetëson pikërisht brishtësia e sistemit politik. Të dëgjojmë editorialisten e gazetës ekonomike italiane “Sole 24 Ore”, Adriana Çerreteli, me telefon nga Brukseli:
Kam frikë se si në Greqi, ashtu edhe në Itali, lufta e pushtetit ndërmjet partive qeverisëse dhe atyre të opozitës është e tillë, sa të kompromentojë të gjitha përpjekjet, që do t’i dëshironin madje, edhe një pjesë e forcave politike. Në përgjithësi në Evropë, shoh një gjendje shumë shqetësuese, pasi nuk ka asnjë klasë politike në pushtet, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë, që të jetë në gjendje të përcaktojë e të zbatojë një politikë të sinqertë e të fuqishme kundër krizës.
Figura e Lukas Papademos, ish-drejtues i Bankës Qendrore Evropiane, si shihet në Bruksel?
Janë të gjithë njerëz të besueshëm, por kanë të bëjnë me realitete politike shumë larg nga përsosuria, të cilat, nga ana e tyre, kushtëzohen nga situata objektivisht të vështira: industri, sindikata, punonjës publikë, pensionistë, njerëz, që humbin një pjesë të rrogës. Sakrificat janë të jashtëzakonshme e duhen bërë në kohë shumë të shkurtër, me gjithë problemet që sjell kjo. Në Greqi, për shembull, numri i vetëvrasjeve është rritur me 40%. Të qeverisësh në këto kushte, nuk është e lehtë.
Po Italia?
Deri pak muaj më parë, Italia konsiderohej e sigurtë, por vetëm për një muaj e gjysëm stuhia ka përfshirë edhe Italinë, si tregun, ashtu edhe politikën. Vendi është në rrezik, megjithëse jam dakord me atë, që tha para disa ditësh, guvernatori i Bankës së Italisë, Injacio Visko: “Gjendja e borxhit italian mund të përballohet derisa interesat të arrijnë në 8%”. Por kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Të mos harrojmë se sulmet kundër Italisë në bursë janë një lloj mbrojtjeje për Francën, e cila, gjithashtu ka probleme. Nëse vazhdojmë kështu, euro është në rrezik.








All the contents on this site are copyrighted ©.