2011-11-07 06:56:10

G20-a: Rezoluta përfundimtare përcakton një plan me gjashtë hapa për zhvillimin


Të enjten e të pemten u mbajt në Cannes të Francës, mbledhja e G20-ës për kapërcimin e krizës ekonomike botërore. Takimet e ethshme me vendet në rrezik falimentimi sollën disa rezultate. Greqia hoqi dorë nga referendumi për paketën e masave, të domosdoshme për kapërcimin e krizës, ndërsa Italia paraqiti një plan, zbatimi i të cilit do të kontrollohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në rezolutën përfundimtare, 20 të mëdhenjtë e globit përcaktojnë gjashtë hapa të rëndësishme për zhvillimin afatmesëm dhe detaje për programet e kapërcimit të krizës në secilin prej vendeve. SHBA-të, për shembull, impenjohen që deri në mes të kësaj dekade, borxhi i tyre publik të jetë më i vogël se Prodhimi i Brendshëm. Gjermania dhe ekonomitë me zhvillim të shpejtë, si India e Kina, premtojnë të përmirësojnë raportin kërkesë-ofertë brenda vendit. Gjithashtu, bëhet thirrje për një Këshill, apo Komitet të Stabilitetit Financiar, i cili duhet të studiojë dhe të vendosë rregulla të qarta botërore në fushën e ekonomisë. Përmendet gjithashtu, e ashtuquajtura “tobin tax”, taksa mbi transaksionet financiare, për të cilën nuk janë dakord të gjitha vendet.
G20-ës iu drejtua edhe Papa gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, me thirrjen për të vendosur me përgjegjësi mbi fatet ekonomike të botës, duke synuar zhvillimin e vërtetë njerëzor. Edhe ipeshkvijtë e Anglisë e të Uellsit, në një dokument, i ftuan liderët e globit të marrin masa për të luftuar varfërinë, pa i reduktuar fondet për këtë qëllim.







All the contents on this site are copyrighted ©.