2011-11-07 08:03:45

Benedikti XVI: do të gjykohemi nga Zoti mbi dashurinë që kemi mishëruar konkretisht në jetën e përditshme


“Urti e vërtetë është të përfitosh nga jeta e vdekshme për të bërë vepra bamirësie, vepra të mëshirshme, pasi që, pas vdekjes, kjo nuk është më e mundshme të bëhet”. Kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI në fjalimin e shkurt që parapriu lutjen e mesditës të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan. “Kur do të zgjohemi për gjyqin e mbramë, kjo do të ndodhë mbi bazën e dashurisë së zbatuar në jetën tokësore”, kujtoi Ati i Shenjtë Ratcinger duke komentuar “imazhin e bukur” të pjesën Ungjillore të liturgjisë së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, atë të dhjetë virgjërave, vasha nderi të ftuara në festën e një dasme mirëpo pesë pre tyre përjashtohen sepse kishin mbetur pa vajin që shërbente për ti mbajtur të ndezura llambat e tyre. “Vashat marroqe – shpjegoi Papa duke cituar shën Agostinin – nuk kanë marrë me vete vajin që në tregimin ungjillor është simbol i dashurisë, që nuk mund të blihet por merret si dhuratë, ruhet në thellësi e zbatohet në vepra”. Për Atin e Shenjtë Benediktin XVI, “kjo dashuri është dhuratë e Krishtit, e derdhur apo më mirë të themi e zbrazur në ne nga Shpirti Shenjt. Kush beson në Zotin-Dashuri bartë në vete urtinë e pamposhtshme, si një llambë drite me të cilën përshkohet nata përtej vdekjes, e arrihet në festën e madhe të jetës”.
“Marisë, Zojës së Bekuar, Selisë së Urtisë, i kërkojmë – përfundoi Papa duke i nxit besimtarët të lutën – të na mësojë urtinë e vërtetë, atë që është mishëruar në Jezusin. Le të mësojmë prej saj të jetojmë e të vdesim në urtinë që nuk zhgënjen”.

Ja shëmbëlltyra e dhjetë virgjërave që u kumtua në Ungjillin e kësaj së diele marrë nga Shën Mateut (Mt 25,1-13) të cilën Papa e komentoi gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot.
Në atë kohë, Jezusi u tregoi dishepujve të vet këtë shëmbëlltyrë: Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.
Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’
Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!"







All the contents on this site are copyrighted ©.