2011-11-04 18:53:47

Patriarkati latin i Tokës së Shenjtë kërkon liri fetare për të krishterët arabë


“Mjaft më! Edhe të krishterët e botës arabe kanë të drejtë të kenë lirinë e ndërgjegjes, lirinë fetare e të mos konsiderohen si nënshtetas të dorës së dytë. A s’kanë edhe të krishterët ç’të thonë në procesin e demokratizimit të botës arabe?” Ky është editoriali i fundit, i gazetës “Jeruzalem”, e përmuajshme e Patriarkatit latin të Jeruzalemit. Autori, kryeredaktori i gazetës, Kristofer Lafonten ia kushton shkrimin “pranverës arabe” dhe dhunës kundër të krishterëve, që ka zgjuar ajo në disa vende si Egjipti, ku viktimat janë koptët. “Rajoni arab po gjakoset”, vë në dukje Lafonten me statistika të pamëshirshme. “Sipas Bashkimit Egjiptian për të Drejtat e Njeriut, 100 mijë koptë janë larguar nga vendi në muajin e marsit, duke emigruar në SHBA-të, Kanada, Evropë e Australi. Në Irak, pas ndërhyrjes anglo-amerikane të vitit 2003, vendi është boshatisur nga të krishterët. Së paku 400 mijë kanë gjetur strehim në Perëndim, ose jetojnë si refugjatë në kufirin me Sirinë. Në këtë vendin e fundit, të krishterët nuk kanë aspak besim në proceset revolucionare të këtyre muajve. Pyetja shqetësuese, që ngre editoriali është kjo: “Nëse përvijohet mundësia e sharisë për Egjiptin dhe Sirinë, ç’do të ndodhë me të krishterët? Përveç kësaj, në Izrael po shumëfishohen sulmet kundër arabëve. Në ditët e tragjedisë egjiptiane, policia zbuloi në Jafa, dhjetra varre të prishura, myslimane e të krishtera. Pas gjithë këtyre kërcënimeve kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme – përfundon Lafonten – duhet të impenjohemi seriozisht në lutje. Së bashku me të gjithë të krishterët themi ‘mjaft më!’”







All the contents on this site are copyrighted ©.