2011-11-04 18:50:47

Papa ambasadorit të Bregut të Fildishtë: të promovohet paqja përmes së vërtetës dhe drejtësisë


“Pajtimi i shpirtërave të acaruara dhe transparenca në drejtimin e brendshëm të vendit”: sipas Papës, këto janë detyrat kryesore, që duhet t’i kenë parasysh mbarështuesit e pasurive publike në Bregun e Fildishtë. Benedikti XVI i theksoi gjatë audiencës me ambasadorin e ri të vendit afrikan pranë Selisë së Shenjtë, Jozef Tebah-Klah. Ambasadori i ri u prit sot paradite në Vatikan, për paraqitjen e Letrave kredenciale, në sa përkujtohet 40-vjetori i fillimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Bregut të Fildishtë.

“E kam ndjekur me shqetësim të thellë dramën e krizës pas-elektorale, që jetoi vendi juaj, një krizë, e cila minoi bashkëjetesën shoqërore dhe solli përçarje të reja, ende shqetësuese”. E nisi me këto fjalë, Benedikti XVI, analizën e situatës në Bregun e Fildishtë, duke theksuar faktorin kryesor të mungesës së ekuilibrit në vendin afrikan, atdhe i më se 60 etnive, që janë ende në kërkim të bazës për bashkëjetesën e që, në përpjekjen për ta gjetur, mund të bëhen model për mbarë Afrikën:
“La grave crise que la Côte d’Ivoire…
Kriza e rëndë, që jetoi Bregu i Fildishtë, pati si pasojë shkelje edhe më të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe shumë viktima. Prandaj e inkurajoj vendin tuaj të vërë në jetë të gjitha nismat e mundshme për paqen e drejtësinë. Mos kini frikë ta kërkoni dhe ta gjeni të vërtetën mbi krimet e mbi dhunën e kryer kundër të drejtave të njeriut. Jetesa e përbashkët do të bëhet e mundur, vetëm përmes kërkimit të së vërtetës dhe të drejtësisë”.
Lidhur me këtë, Benedikti XVI theksoi se e vlerëson krijimin e Komisionit për të vërtetën, drejtësisë e pajtimin dhe uroi që ky komision të kryejë një punë sa më të kujdesshme e, sidomos, të paanshme. Nevojën për shqyrtimin e kujdesshëm e të vëmendshëm të së kaluarës, në funksion të ardhmërisë më të qëndrueshme, Papa e theksoi edhe kur reflektoi për një problem tjetër të mprehtë: domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit, plagë e rrezikshme në shoqërinë e Bregut të Fildishtë:
“Je voudrais encourager les responsables…
Dëshiroj t’i inkurajoj drejtuesit e vendit tuaj të impenjohen vendosmërisht në rrugën drejt qeverisjes transperente e të drejtë e ta mbështesin ligjin për sjelljen e mirë të anëtarëve të qeverisë, miratuar në gjysmën e gushtit të kaluar. Impenjimi për të mirën e përbashkët kërkon që vendi të qeveriset me disiplinë, drejtësi, transperencë. Politikanët duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët t’i gëzojnë njëlloj pasuritë e vendit”.
Më pas Benedikti XVI kërkoi të respektohen të drejtat e paprekshme të tjetrit, shenjtëria jetës njerëzore dhe liria fetare. Ripohoi, pastaj, impenjimin e Kishës në vend për të bashkëpunuar me institucionet e shtetit në rindërtimin e Bregut të Fildishtë. Kisha, vërejti Papa, nuk dëshiron ta zëvendësojë shtetin, por përmes institucioneve të saj të shumta edukative e shëndetësore, mund t’i japë ndihmesë të madhe një vendi, përplot me plagë, në trup e në shpirt. E, që vendi të jetojë, plagët duhen shëruar. Pastaj duhet pasur mirë parasysh se një komb pa institucione të fuqishme edukative, që mësojnë e promovojnë vlerat morale, intelektuale e shpirtërore, nuk mund të ketë të ardhme të sigurtë. Kam besim, përfundoi Ati i Shenjtë, se ky projekt edukativ do të shikohet si detyrë parësore në punën për të ndërtuar Bregun e Fildishtë të së nesërmes: të begatë, të zhvilluar, të drejtë, paqësor.







All the contents on this site are copyrighted ©.