2011-11-04 19:20:08

Liturgjia e Fjalës e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj here dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik kishtar.
Të nderuar lexues e lexues të Radio Vatikanit, po i afrohemi përfundimit të vitit liturgjik kishtar, e leximet biblike të këtyre të dielave të fundit trajtojnë temën mbi të vërtetat e mbrame dhe themelore të jetës së njeriut, mbi të vërtetat e amshuara. Kështu leximet biblike të kësaj së diele orientohen drejt atyre sendeve që janë realitetet e fundit të jetës sonë, të vërtetave që e tejkalojnë ekzistencën tonë njerëzore e tokësore, e na tregojnë rregulloret e shpirtit me të cilat duhet t’i dalim para në takim Zotit në ditën e mbrame të jetës.

Shëmbëlltyra që shën Mateu na paraqet në Ungjillin e kësaj së diele na thërret e qorton të jemi vigjilentë, të kujdesshëm, të zgjuar e të përgatitur për takimin tonë përfundimtar e vendimtar me Krishtin Zot e Shpëtimtar. Shëmbëlltyra ungjillore e kësaj së diele na flet mbi domosdoshmërinë e të ndenjurit zgjuar për të qenë të gatshëm për çastin përfundimtar, kur Zoti na thërret. Ajo çka duhet të bëjmë, duhet bërë më parë, më herët duke jetuar sipas mësimit të Ungjillit. Prandaj Jezusi na thotë të “vigjilojmë”, të rrimë zgjuar, të jemi të vëmendshëm. Jezusi e krahason Mbretërinë e Qiellit me dhjetë virgjëra të cilat dolën për të pritur dhëndrin. Pra, Mbretëria Hyjnore mes nesh është si një pritje. Njerëzit e kësaj Mbretërie janë të krishterët, ne pra, që presim Jezu Krishtin.

E si do ta presim Jezusin tani) Si e presim ne takimin me Jezusin që vjen? Në Ungjillin e kësaj së diele Jezusi thotë se janë dy kategori njerëzish: të mençur e jo të mençur: “pesë prej tyre(dhjetë virgjërave) ishin marroqe e pesë të mençura. Marroqet morën me vete dritat por nuk morën vajin. Ndërsa të Mençurat morën si dritat e po kështu edhe vajin”. Me fjalë tjera themi se : ata që s’janë të mençur nuk bëjnë asgjë të mirë e të drejtë dhe nuk mendojnë aspak për të ardhmen e për takimin vendimtar e përfundimtar me Zotin. Kurse të mençurit bëjnë vepra të mira, i mbajnë “sytë hapur”, jetojnë në paqe, në përkim e në dashuri me njerëzit e me Hyjin.

Nga Ungjilli i Shën Mateut (Mt 25,1-13)
Në atë kohë, Jezusi u tregoi dishepujve të vet këtë shëmbëlltyrë: Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.
Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’
Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”. Fjala e Zotit!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.