2011-11-04 15:21:43

Kisha kujton shën Karl Borromeun, bari i madh, simbol i dashurisë së krishterë


Kisha kremton sot më 4 nëntor festën e shën Karl Borromeut. Ipeshkëv i Milanos, që jetoi në shekullin XVI e u krijua kardinal vetëm 22 vjeç, është shembull i bariut të vëmendshëm ndaj nevojave të Kishës e të besimtarëve. Kujtojmë se shën Karl Borromeu është bashkëpajtor i dioqezës së Milanos, me shën Ambrozin; është edhe pajtor i skalabrinianëve, për shkak të dashurisë së krishterë e të zellit, që e karakterizuan misionin e tij, duke e bërë apostull të vërtetë të Krishtit.
Për figurën e Shenjtit, na flet Atë Livio Stela, vikar i përgjithshëm i misionarëve të Shën Karlit, të njohur me emrin skalabrinianë:
Përgjigje: - Në zemrën e tij ishte vërtetë e gjallë dashuria për Zotin, gjë që dukej qartë në jetën e tij asketike, në lutjen, në praktikimin e virtyteve të krishtera, në rrezatimin e dashurisë së Zotit mbi të gjithë ata, që i afroheshin, në përdorimin e pasurisë personale për të ndihmuar të varfrit, nevojtarët, të sëmurët. Biografët e tij e kanë vënë në dukje, me admirim të thellë, kujdesin që tregoi në kohën e murtajës, për të prekurit nga kjo sëmundje e tmerrshme, vdekjeprurëse. I qëndroi vetë tek koka atyre që jepnin shpirt, pa menduar fare se mund të përlyhej edhe ai nga murtaja. Prandaj, kur u shpall shenjt, në vitin 1610, Papa Pali VI e quajti ‘Atë i të varfërve’. I Lumi Skalabrini pa në të dëshminë e shenjtërisë e të dashurisë së krishterë, tipike për bariun e mirë, që jep jetën për delet e veta e samaritanin e mirë, që paguan me paratë e veta e vë në lojë namin e vet të mirë, në shërbim të të afërmit.
Pyetje: - A mund të na kujtoni ndonjë shprehje të Shenjtit, me vlerë për ditët tona?
Përgjigje: - Një nga frazat më të bukura të Shën Karlit, është ajo që ua thoshte meshtarëve, kur fliste me ta: “Prediko, para së gjithash, me jetën tënde e me shenjtërinë tënde, për të mos ndodhur pastaj që, duke qenë sjellja jote në kundërshtim me predikimin tënd, ta humbasësh fare çdo besim tek njerëzit”. Figura e Shën Karlit ishte vërtetë një shtyllë për Kishën e kundër-reformës, sepse ai vuri në jetë Koncilin e Trentit në dioqezën e vet, duke u bërë shembull për të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave të tjera italiane.
Pyetje: - Shembull i madh për ipeshkvijtë Shën Karl Borromeu; po besimtarët, ç’ mësime mund të marrin nga jeta e tij?
Përgjigje: - U bënte thirrje besimtarëve të tregonin vëmendje të dorës së parë për ato shenja, të cilat janë shtyllat e fesë – për shembull, për Kryqin, për Eukaristinë. Është ai që nisi, në dioqezën e vet, adhurimin e 40 orëve, që vendosi elterët në lagjet e ndryshme, për t’i kujtuar popullit se feja duhet të jetohet kudo e kurdoherë, e jo vetëm në disa çaste, kur shkojnë në Kishë, në Meshën e së dielës e në raste festash. Feja duhet jetuar ditë për ditë, çast për çast. E po ai nisi, për herë të parë, t’u binte kambanave në agim, në mesditë e në muzg, për t’u kujtuar besimtarëve se ka një Zot në jetën e secilit nga ne, që nuk mund ta harrojmë.
Pyetje: - Si e shikoni ju, sklabriniantërt, figurën e Shën Karl Borromeut?
Përgjigje: - Si shembull i një rruge personale feje, që na çon pranë vëllezërve e motrave tona, për udhë nëpër botë, si mërgimtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.