2011-11-02 09:30:20

Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, thirrje drejt atdheut të përbashkët qiellor!


Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton të gjithëve të ecim në rrugën e shenjtërisë. Shenjtorët janë ata që kanë guximin të lenë gjithçka, për t’u bërë ‘miq të Jezusit’. Janë pikërisht ata që na bëjnë të shikojmë se feja nuk është një grumbull ndalimesh, një seri ‘jo’-shë ose predikimesh të trishtuara moraliste.
Në të vërtetë, feja është rrugë e zgjedhur me vullnet të plotë e me gëzim: lihet diçka, sepse është gjetur diçka më e mirë e më e çmueshme. Shitet gjithçka, për të blerë një thesar me vlera të pakrahasueshme: e ky thesar është takimi me personin e Jezusit; është takimi i syve tonë njerëzorë me sytë plot dashuri të Krishtit Zot, që i hapin jetës njerëzore horizont të ri, që tregojnë rrugën vendimtare të shenjtërisë e të amshimit.
“Shenjti është ai që mahnitet nga bukuria e Zotit e nga vërtetësia e tij e përkryer aq, sa dalë-nga-dalë, shndërrohet plotësisht. Për këtë bukuri e vërtetësi, është gati të heqë dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja. I mjafton dashuria e Zotit, të cilën e provon në shërbimin e përvujtë e pa interes ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj atyre prej të cilëve nuk pret kurrfarë shpërblimi”.
Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, do të thotë bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit hyjnor, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. “Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!”.
Shenjtorët nuk mund ta mbajnë për vete gëzimin e madh të takimit me Zotin, por dëshirojnë t’ua transmetojnë edhe të tjerëve bukurinë e fesë: e këtë e bëjnë me përvujtëri e paqe, me mëshirë e vërtetësi e me atë forcë plot butësi, që buron nga bashkimi me Krishtin, duke dëshmuar kështu se kush beson, nuk është kurrë i vetëm.
Kujtojmë se Festa e të Gjithë Shenjtorëve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: për të jetuar sipas mësimeve të Krishtit, e për të synuar shenjtërinë e kështu të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.