Sot më 2 nëntor kujtojmë Aleksandër Xhuvanin në përvjetorin e vdekjes. Ai lindi në
Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor,
vdiq më 2 nëntor 1961. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë
të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga
pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare. Veprimtarinë e nisi si mësues në
Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t'u kthyer më pas në Shqipëri, ku
filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Qe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës,
sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare,
dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar
i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e veprimtarisë si gjuhëtar
e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin Profesor Doktor honoris
causa. Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën "Albania" të
Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike
dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit "Kopshti letrar"; më pas
botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve '30. La një trashëgim të çmuar
veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë disa prej tyre: "Libri
i gjuhës shqipe" 1924; "Njohuritë e para të sintaksës shqipe" 1925; "Fillimet e pedagogjisë
didaktike" 1926; "Pestaloci" 1927; "Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme
(me Kostaq Cipon) 1930; "Fillimet e psikologjisë 1933 etj. Me studimin e jetës
së tij janë marrë Bardhyl Graceni në monografinë "Aleksandër Xhuvani: jeta, vepra"
Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi në monografinë "Aleksandër Xhuvani". Po të krahasojmë
shkrimet e para, që na zbulojnë bindjet e tij të formuara, e shkrimet më të vona,
do të vërejmë menjëherë se edhe ai, pavarësisht nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat
dhe i krijuan kushte të favorshme pune, duhet ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën
e tmerrshme të diktaturës, që për njerëz si ai donte të thoshte vdekje e mendimit
të lirë e e krijimtarisë së lirë. Këtë e dëshmon fakti se miqtë më të mirë i pat në
radhët e intelektualëve me formin perëndimor, ndërmjet të cilëve, me gjuhëtarin e
madh të panjohur, Atë Viktor Volajn, asokohe Rektor i kishës françeskane në Tiranë,
me të cilin takohej rregullisht për të diskutuar mbi probleme gjuhësore e letrare,
ndonëse asokohe takimet me një frat mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore.
Falë Profesor Xhuvanit, Atë Viktori vijoi, fshehurazi e pa emër, bashkëpunimin me
Akademinë e Shkencave duke dhënë një kontribut të madh për Fjalorin e shqipes. Mjafton
të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të
treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht
të Kangëtarit të Lahutës: “Si vetimë u përhap an' e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët
i vdekjes së poetit t'onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë
bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të "Lahutës së Malcisë" që ka këndue,
si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si
dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës "Tirteu i Shqipnisë,
se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja
e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera kanë mbledhë
në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën
amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi
dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës.
E s'ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi
mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot
si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill
shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj". Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq
më 2 nëntor 1961.