2011-11-02 18:26:52

Papa thirrje mbledhjes së G20-ës: masa për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.


Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa bëri këtë thirrje, drejtuar Grupit të 20-ës:
“Më 3 e 4 nëntor - nesër e pasnesër - Krerët e Shteteve e të Qeverive të G20-ës do të mblidhen në Cannes, për të shqyrtuar problematikat kryesore, që lidhen me ekonominë globale. Uroj që takimi të japë ndihmesën e vet për kapërcimin e vështirësive të cilat, në nivel botëror, pengojnë përparimin e zhvillimit vërtet të gjithanshëm e njerëzor”.
Në këtë çast, pas rënies së jashtëzakonshme të bursave botërore dhe pas shpalljes së kryeministrit grek, Papandreu se do të organizojë një referendum mbi masat e nevojshme për kapërcimin e krizës, sytë e globit janë drejtuar nga mbledhja e 20 të mëdhenjve në Cannes, ku që sot, ndodhen kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Bashkimi Evropian pati arritur një marrëveshje për të shpëtuar vendet në vështirësi, të cilën duhej ta paraqiste në takimin e G20-ës, por tani, siguritë e pakta mbi të cilat bazohej plani, nuk ekzistojnë më.
Përveç Athinës, shqetësime krijon edhe Italia, gjendjen e së cilës, dikush e krahason me situatën në Irlandë e në Greqi, para emergjencës. Kurrë më shumë se tani, thirrja e Papës për të menduar “zhvillimin vërtet të gjithanshëm e njerëzor” nuk ka qenë kaq aktuale. Të dëgjojmë opinionin e presidentit të Institutit të Veprave Fetare, prof. Etore Goti Tedeski:
Kemi harruar se zhvillimi i njeriut është i gjithanshëm: njeriu është edhe shpirt, por këtë e kemi harruar krejtësisht. Prandaj, kur një mjet siç është ekonomia, apo financa, harron se është vetëm “mjet” e se ka nevojë për një “qëllim”, të cilin as që e merr parasysh, shkon kundër njeriut. Si Benedikti XVI, ashtu edhe Papa Gjon Pali II, në enciklikat e tyre shoqërore, kujtojnë se njeriu i këtij shekulli ka pasur mundësi të mëdha të zhvillojë shkencën e teknikën e, edhe ekonominë e financën, të cilat, tani, nuk është më në gjendje t’i kontrollojë.
Duket se financa nuk pyet për politikën, kuptuar si plotësim i ndërgjegjshëm i detyrave shtetërore. Pra, nuk pyet për të mirën e përbashkët, apo jo?
Është politika ajo, që ka dështuar. Nuk është financa, që s’pyet për politikën, por është politika, që i ka lënë financës një lloj autonomie morale. Ka tre vjet, që politika perëndimore premton të zgjidhë problemet e krizës globale, por optimizmi i saj është larg realitetit. Politika s’ka qenë në gjendje t’i kuptojë shkaqet e krizës, zanafillën e saj të vërtetë e, për tre vjet me radhë, vazhdoi të mbështesë tezën e karakterit financiar të krizës, që e paska bazën në borxhin e jashtëzakonshëm të bankave e në ngadalësimin e zhvillimit për shkak të shtimit të popullsisë. Në fakt, kriza aktuale është pasojë e vëmendjes së paktë ndaj zhvillimit ekonomik të botës perëndimore. Sot, flasim shumë për fëmijën e shtatëmilardtë që lind. Po ku lind? Jo në botën perëndimore, e cila u tregua aq e pacipë, sa të mos pranojë se zhvillimi ekonomik ecën së bashku me rritjen e ekuilibruar të popullsisë. Ne u thamë njerëzve të mos lindin fëmijë, por, përmes konsumit, të kënaqin gjithnjë e më shumë kërkesa materiale. Kështu rritja e konsumit u barazua me zhvillimin ekonomik. Por nuk është kështu! Tani, për të dalë nga kriza, është e nevojshme një periudhë e gjatë shtrëngesash, të cilat natyrisht, nuk janë aspak popullore, prandaj, politika i lë mënjanë. Në vend që të rivendosë bazat e ekonomisë, si kursimin për shembull, u propozon njerëzve iluzione.
Takimi i G20-ës, a mund të lindë shpresa të reja për ta rimenduar zhvillimin ekonomik botëror?
Dëgjo këtu, shpresat lindin vetëm nëse pjesëmarrësit në takimin e G20-ës do të shkojnë në Cannes me një dozë të jashtëzakonshme përvuajtërie dhe do të marrin vendime, që tregojnë se e kanë kuptuar përgjegjësinë e veprimeve të tyre. Në këtë çast, kjo përgjegjësi është historike, merret para gjithë njerëzimit. Siç tha Benedikti XVI gjatë udhëtimit në Venedik, udhëheqës vërtet i suksesshëm është ai, që shqetësohet për të mirën e përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.