Papa: ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit.
Mbarë Kisha i përkujtoi sot me lutje, besimtarët e vdekur. Pasdite Benedikti XVI shkoi
në Kripten Vatikanit, ku u gjunjëzua pranë varreve të paraardhësve, duke u lutur që
Zoti t’u japë pushimin e pasosur e dritën e pambaruar. E në këtë ditë, kur kujtojmë
të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Papës i cili, me fjalët
e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam,
jemi gjithnjë me Zotin: “Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para
të krishtera, i nxiste besimtarët të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë
shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes
Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14). Edhe sot është e
nevojshme të ungjillëzohet realiteti i vdekjes e i jetës së pasosur, që shpesh herë
u nënshtrohet besëtytnive e sinkretizmave; sepse e vërteta e krishterë nuk duhet të
vihet në rrezik, duke u ngatërruar me mitologji të natyrave të ndryshme” (Lutja
e Engjëllit të Tënzot e 2 nëntorit 2008). Por njeriu modern – nënvizon Benedikti
XVI - shumë shpesh mundohet të harrojë se do të vdesë një ditë, duke jetuar sikur
Zoti të mos ekzistonte: “Njeriu modern e pret përsëri këtë jetë të pasosur,
apo mendon se ajo i përket mitologjisë, së cilës nuk i beson më askush? Në kohën tonë,
më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë
harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe i jetës sonë. Por jeta njerëzore,
për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, i cili qëndron mbi këtë
natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë
(Audienca e përgjithshme e 2 nëntorit 2005). E pra Zoti vijon të ekzistojë, edhe
kur nuk i besojmë: e me të, edhe jeta e përtejme. Prandaj Kisha na fton t’i përkujtojmë
besimtarët e vdekur me meshë, lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të
pastruar, të pranohen në jetën e amshuar. Por ç’ është kjo jetë e amshuar? “Jeta
e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos,
një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga
e keqja e nga vdekja e na bashkon pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët
marrin pjesë në të njëjtën Dashuri” (Lutja e Engjëllit të Tënzot e 1 nëntorit
2006). Para enigmës së vdekjes, shumëkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri
të dashurit e vet në jetën e përtejme. E duke folur për kujtimin e të vdekurve, Benedikti
XVI e quan vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë
se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse
na do pafund: “U ngjalla e tani jam gjithnjë me ty – na thotë Zoti – e dora
ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm
edhe në portën e vdekjes. Atje ku nuk mund të të shoqërojë më askush e ku ti nuk mund
të marrësh me vete asgjë, atje do të të pres, që ta shndërroj, për ty, errësirën në
dritë” (Lutja e Engjëllit të Tënzot e 2 nëntorit 2008).
Përkujtimi i të
vdekurve lidhet me një nismë të Shën Odilonit, abat i Klyni, në shekullin X. Asokohe
nga kjo abaci vareshin një mijë manastire benediktine, e kjo ndihmoi që nisma të përhapej
shumë shpejt në të katër anët e Evropës veriore. Më pas, në vitin 1311, Roma e shpalli
përkujtimin e të vdekurve, festë zyrtare. Por, pavarësisht nga kjo, Kisha, që në kohët
e para të krishterimit, i ka kujtuar gjithnjë të vdekurit me përshpirtëri të thellë,
me meshë e me vepra bamirësie.