Një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, më 2 nëntor, kalendari liturgjik i Kishës
na fton të përkujtojmë besimtarët e vdekur, të cilëve u kushtohet gjithë muaji nëntor.
Po pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? Çfarë lidhje ka ndërmjet
tyre? Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata
që drejtohen nga Parajsa, që janë në Purgator e Purgatori nuk është, thënë simbolikisht,
botimi i dytë i Ferrit. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës.
Dikush ka thënë se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para
se të pranohemi në festën e shenjtorëve. Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë
të vdekurit që i përkujtojmë gjatë nëntorit, janë njerëz që jetojnë në bashkim me
ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse ta kujtosh të gjithë
shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës në shoqërinë e Shenjtorëve, por
presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se
edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos
ndjehemi kurrë të vetmuar. Ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon me të gjitha
mënyrat ta harrojë vdekjen, nga buron kjo prirje në shoqërinë tonë? Frika
nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon
se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon
asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme
të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund,
se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna.
Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim
qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria
jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme
nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta.
Kishte të drejtë Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”. I krishteri,
që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një
mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli
i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”,
sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë,
mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim
cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit
të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit
të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu
është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.