2011-11-01 14:34:55

Në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, Papa na kujton se shenjtëri do të thotë ta ndjekësh pas Jezusin me besim të plotë.


Sot, 1 nëntor, Kisha kremton Gjithë Shenjtorët. Solemniteti na kujton se shenjtëri nuk do të thotë të kryesh vepra të jashtëzakonshme. Shenjtëri do të thotë të ndjekësh Jezusin me besim të plotë se Zoti nuk të lëshon kurrë dore, se është gjithnjë pranë teje, në të mira e në të vështira! Këtë na e kujton edhe Papa Benedikti XVI gjatë gjithë papnisë së tij.
Solemniteti i sotëm na fton t’i lartojmë sytë kah qielli e të meditojmë për përsosurinë e jetës hyjnore, që na pret. Benedikti XVI, në vitet e papnisë së tij, na ka kujtuar disa herë se, në sa nxitojmë të kryejmë punët e përditshme, që nuk mbarojnë kurrë, shpesh harrojmë se caku i fundmë i këtij nxitimi, është takimi ballë për ballë me Zotin. E në këtë cak mund të arrihet vetëm përmes shenjtërisë, që nuk është privilegj për pak të zgjedhur, por detyrë kryesore për gjithë njerëzit. Por, ç’duhet bërë, për të qenë shenjtorë?
“Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi në radhë të parë duke kujtuar ç’nuk duhet bërë: për të qenë shenjtorë, nuk duhet të kryejmë vepra të jashtëzakonshme, gjëra të mëdha, e as të kemi cilësi të rralla. Pastaj duke kujtuar edhe ç’duhet bërë: kryesorja është t’i shërbejmë Jezusit, ta dëgjojmë zërin e tij, ta ndjekim pas, pa u trembur nga vështirësitë. Shenjtëria kërkon përpjekje të vazhdueshme, por mund të arrihet prej të gjithëve nga që, më shumë se vepër e njeriut, është dhuratë e Zotit” (Homelia, 1 nëntor 2006).
Në udhën e shenjtërisë nuk jemi kurrë vetëm. Na shoqërojnë shenjtorët e të gjitha kohëve. Prandaj Papa na kujton sa gjë e bukur e ngushëlluese është shoqëria e shenjtorëve, realitet me përmasa krejt të ndryshme, nga ato të jetës sonë:
Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë pjesë në një bashkësi shpirtërore, në të cilën mbretëron plotësisht solidariteti: e mira e secilit, është e mira e të gjithëve dhe anasjelltas, lumturia e njërit, rrezaton në fytyrën e secilit. Është mister të cilin, në një farë mase, mund ta shijojmë që në këtë botë, në familje, mes miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 1 nëntor 2009).
Me solemnitetin e sotëm lidhet ngushtësisht përkujtimi i besimtarëve të vdekur, më 2 nëntor. Papa na fton ta jetojmë sipas frymës së vërtetë kristiane, në dritën, që buron nga Misteri i Pashkëve. Krishti vdiq e u ngjall e na hapi shtegun që çon kah Shtëpia e Atit, kah Mbretëria e jetës dhe e paqes. Kush e ndjek pas Jezusin në këtë jetë, do ta gjejë të hapur dy kanatash portën, që çon atje, ku Ai na parapriu:
“Ndërsa vizitojmë varrezat, kujtojmë se ndër varre pushon vetëm pjesa e vdekshme e të dashurve tanë, në pritje të ringjalljes së fundme. Shpirti i tyre – siç thotë Shkrimi Shenjt - është tashmë në dorë të Zotit” (Ur.3,1). E mënyra më e mirë e më e dëshirueshme për t’i nderuar, është të lutemi për ta, duke kryer vepra feje, shprese e dashurie. Në bashkim me Flijimin eukaristik, mund të ndërmjetësojmë për shëlbimin e tyre të amshuar e të ndjejmë në shpirt bashkimin më të thellë me ata, që nuk janë më mes nesh, në pritje për të qenë përsëri bashkë, për të shijuar, në amshim, Dashurinë që na krijoi e na shpërbleu” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 1 nëntor 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.