2011-10-31 16:22:29

Për Papën, rritja e numrit të popullsisë është faktor zhvillimi.


Në enciklikën “Caritas in veritate”, Benedikti XVI e nxit njerëzimin të mos ketë frikë nga rritja e numrit të popullsisë. Është – shpjegon - një aspekt shumë i rëndësishëm i zhvillimit të vërtetë, sepse lidhet ngushtë me vlerat e patjetërsueshme të jetës e të familjes. Sipas Papës, ta shikosh rritjen e popullsisë si shkak të parë të prapambetjes, nuk është përfundim i saktë, as në këndvështrimin ekonomik: mjafton të mendosh, nga njëra anë, për pakësimin e vdekshmërisë foshnjore dhe zgjatjen mesatare të jetës, që regjistrohen në vendet ekonomikisht të zhvilluara e, nga ana tjetër, për shenjat e krizës së thellë në shoqëritë, ku vërehet rënia e ndjeshme e lindjeve. Ndonëse mbetet e detyrueshme t’i kushtohet vëmendje përgjegjësisë në lindjen e fëmijëve, parë si kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut e të njerëzimit, për Papën Racinger “t’i hapësh, me përgjegjësi morale, rrugën jetës së re, duhet konsideruar si pasuri shoqërore dhe ekonomike”. Kombet e mëdha – thekson Ati i Shenjtë – mundën të dalin nga mjerimi edhe falë numrit e aftësive të banorëve të tyre, ndërsa përkundrazi, Kombet njëherë e një kohë të lulëzuara, po kalojnë sot një fazë delikate paqartësie, edhe për shkak të djepave gjithnjë më të zbrazët, problem themelor për shoqëritë e zhvilluara e të kamura.Sipas Papës teolog, pakësimi i lindjeve vë në krizë edhe sistemet e ndihmës sociale, rrit kostot, pakëson kursimet e, si pasojë, burimet financiare të nevojshme për investime; kufizon numrin e punëtorëve të kualifikuar e të truve, për të cilat ka aq shumë nevojë çdo Komb. Përveç kësaj, familjet e vogla krijojnë rrezikun e varfërimit të marrëdhënive shoqërore e të mungesës së formave të ndryshme të solidarietetit. Janë situata – shkruan Papa - që flasin qartë për mungesën e besimit në të ardhmen, e sidomos, për lodhje morale!







All the contents on this site are copyrighted ©.