2011-10-31 16:22:17

Popullsia botërore arrin në 7 miliard vetë: gëzim e ankth njëherësh!


Me gëzim, por edhe me ankth, bota kremtoi sot arritjen e banores më të re të Planetit, me lindjen e së cilës u kapërcye shifra 7 miliard banorë. Është fjala për një vajzë, lindur në Azi, ku jetojnë 2/3 e popullsisë botërore, e pikërisht, në Filipine (edhe pse ndokush ia njeh këtë meritë Indisë). Gjithsesi, mbi kremtimet u ndje fort hija e trishtuar, shkaktuar nga shpërthimi demografik e jo më pak, nga frika se Toka nuk do të ketë burime të mjaftueshme për të shuar urinë e gjithë kësaj morie njerëzish!
Kombet e Bashkuara patën paralajmëruar prej kohe se bebja e shtatëmiliardët e Planetit do të dilte në dritë më 31 tetor: Filipinet qenë vendi i parë, që e kumtoi ngjarjen, si atdhe i foshnjës: një vajzë me emrin Danika, me peshë 2,5 kilogram, lindur pak para mesnatës, nën ujvarën e dritave të aparateve fotografike e të telekamerave, në Jose Fabnella Memorial Hospital, të Manilës.
Danika është vajza e dytë e një zonje me emrin Dalura dhe e partnerit të saj, Florante Komacho.
Funksionarët e OKB-së i uruan mirëseardhjen në botë, me një tortë, mbi të cilën ishte shkruar, me kremë pastash, natyrisht, 7B që do të thotë “e shtatë bilionta krijesë”.
Po vogëloshes vijojnë t’i vijnë edhe dhurata të tjera, nga bamirës vendas e të huaj. Ndërmjet tyre, një bursë studimi dhe një paketë ndihmash financiare për prindërit, që të mund të hapin një dyqan.
Për pak Filipinet do ta humbisnin këtë vend kaq të jashtëzakonshëm në historinë e demografisë botërore! Pothuajse njëkohësisht me njoftimin për Danikën, edhe në Indi, një organizatë bamirëse kushtuar fëmijëve, njoftoi se në qendrën shëndetësore të një fshati të Uttar Pradesh, kishte lindur një vajzë, banorja e shtatëmiliardët e Planetit. Quhet Nargis. Lindi në orën 7.20 me orën vendase.Gjithsesi, ky nder i mbeti Filipineve, vendi i 12-të më i populluar në botë, me 94,9 milionë banorë, ndërsa India është i dyti, me 1,2 miliardë.







All the contents on this site are copyrighted ©.