2011-10-31 16:32:38

Papa Ratcinger shpreh afërsinë popullsive të Tailandës e kërkon përkim të plotë ndërmjet jetës dhe vlerave, që kumtohen.


“Doktrina e mirë duhet pranuar, por rrezikon të përgenjështrohet nga sjellja e pandershme, që nuk përkon me të” – janë fjalët e Papës i cili, në lutjen djeshme të Engjëllit të Tënzot, vuri theksin mbi përkimin ndërmjet jetës e vlerave, që kumtohen, duke kujtuar se Krishti i bindet i pari urdhërit të dashurisë, e pastaj ua mëson edhe të tjerëve.
Benedikti XVI kujtoi me shqetësim të thellë situatën në Tailandë e në Itali, vende që këto ditë u dëmtuan rëndë nga përmbytjet.
Më pas i ftoi të gjithë t’ia besojnë veten Virgjërës Mari, për të ecur në rrugën e Ungjillit, duke kujtuar edhe se sot, 31 tetor, përfundon muaji kushtuar Rruzares.RealAudioMP3

“Lidhin barrë të rënda, që mezi mund të mbarten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë”. Me këto fjalë të Jezusit, duke u nisur nga Ungjilli i djeshëm, Benedikti XVI kujtoi se Krishti i qorton pa kurrfarë ngurrimi e frike, të gjithë ata që thonë e nuk bëjnë:
“Ai i qorton sheshit skribët e farizenjtë, të cilët në bashkësi luanin rolin e mësuesëve, sepse sjellja e tyre ishte në kundërshtim të plotë me mësimet që ua propozonin të tjerëve me rreptësi”.
Nuk vihet në diskutim dobia e mësimit për t’u sjellë mirë - shpjegoi Papa - por ekziston edhe rreziku që ky mësim të përgënjeshtrohet, në se nuk përkon me sjelljen:
“Jezusi thotë: “Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni, si bëjnë ata, sepse ata nuk veprojnë siç thonë” (Mt 23,3). Ndërsa Krishti sillet krejtësisht ndryshe: ai i bindet i pari urdhërimit të dashurisë, të cilin ua mëson të gjithëve, e mund të na thotë se është barrë e lehtë dhe e ëmbël, pikërisht sepse na ndihmon ta mbartim së bashku me Të”.
Benedikti XVI duke vijuar të flasë për përkimin e sjelles me mësimet, kujtoi se Krishti është mësuesi ynë i vetëm, i vërtetë: Biri i Zotit, Fjala e mishëruar – nënvizoi Papa – e shpreh vërtetësinë e mësimit të tij, përmes besnikërisë ndaj vullnetit të Atit, përmes dhurimit të plotë të vetvetes.
Më pas Ati i Shenjtë citoi Shën Bonaventurën, duke kujtuar se duhet pranuar “Mësuesi i vërtetë” e se ka edhe mësues, që e shkelin nën thembër lirinë e të tjerëve, në emër të autoritetit të tyre. Theksoi, më pas, vendin që zë përvuajtëria në mësimet e Krishtit:
“Jezusi e dënon ashpër edhe mburrjen e vëren se t’i kryesh veprat për t’u dukur para njerëzve (mt 23,5) do të thotë t’i lësh në mëshirën e miratimit njerëzor, duke vënë në rrezik vlerat, që janë në bazë të sjelljes së njeriut të vërtetë”.
Të dashur miq - tha Papa - Zoti Jezus u paraqit para botës si shërbëtor, duke e zhveshur plotësisht vetveten e duke u përulur deri në atë masë, sa të jepte, mbi kryq, mësimin më shprehës të përvuajtërisë e të dashurisë.

Pastaj, pas lutjes mariane, mendimi i Papës shkoi menjëherë tek popullsitë e dëmtuara rëndë nga shirat e rrëmbyera:
“Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time popullsive të Tailandës, të dëmtuara rëndë nga përmbytjet, po ashtu edhe atyre të Italisë, të Liguries e të Toskanës, goditur kohët e fundit nga shira të rrëmbyera. I siguroj se i kujtoj çdo ditë në lutje”.
Përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, më pas:
në frëngjisht, ftesa për t’iu lutur Virgjërës Mari, që të na ndihmojë të ecim në udhën e Ungjillit, t’i jetojmë me besnikëri mësimet e Krishtit e të gjejmë ngushëllim në vuajtje;
në anglisht, ftesa për përkim ndërmjet përvuajtërisë e shërbimit bamirës ndaj vëllezërve, duke i përngjarë plotësisht Krishtit në jetën e përditshme;
në gjermanisht, ripohimi se Zoti nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer;
në spanjisht, ftesa për t’u sjellë gjithnjë me drejtësi të shpirtit;
në gjuhën polake, pohimi: “Një i vetëm është Mësuesi: Krishti! Prej këndej parimet morale, që vijnë nga Ati, nuk mund të vihen në dyshim, në diskutim a të kundërshtohen - pasuar nga ftesa për të kaluar nga Ungjilli, në veprat konkrete, përmes të cilave dëftohet dashuria e Hyjit Atë;
në italisht, një përshëndetje e përzemërt drejtuar rregulltareve, Bija të Krishtit Mbret dhe bashkëpunëtorëve të tyre laikë, që ndajnë me to karizmën e misionin, si dhe grupeve të ndryshme, të shumta, ardhur nga të katër anët e vendit.
Për të gjithë, urimi : “Të diele e javë të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.