Me 1 nëntor Kisha kremton festën e Gjithë Shenjtorëve.
Festa e të Gjithë Shenjtorëve e bashkon në një kujtim të vetëm këtë familje të pafundme,
që na e mbush zemrën me ngushëllim. Nganjëherë ndokush ankohet: “Jam vetëm. Ndjehem
i vetmuar”. Po nuk është kështu: “Mendo se nuk je kurrë vetëm, se je i rrethuar nga
familja e Shenjtorëve, nga shoqëria e shenjtorëve, nga përqafimi i tyre. E ky mendim
për praninë e Shenjtorëve në jetën tonë, duhet të jetë i përhershëm, sepse Shenjtorët
në qiell nuk mund të rrinë duarkryq. Parajsa nuk është strehë e artë pushimi.
Parajsa është vendi ku jetohet thellësisht dashuria. E në se urdhërimi i dashurisë
vlen për ne në tokë, aq më tepër duhet të vlejë për Shenjtorët në qiell. Prandaj Shën
Tereza e Krishtit Fëmijë, pak para se të vdiste, pati thënë: “Jam duke hyrë në pushim…madje,
jo në pushim – vijoi duke e korrigjuar veten – sepse kohën time në qiell do ta kaloj
duke bërë mirë mbi tokë”. Shenjtorët janë të shumtë e të gjithë janë pranë nesh,
sepse kush është bërë një me Zotin, është bashkuar me dashurinë e dashuria nuk mund
të rrijë duarkryq. Ky është një mendim që na ngushëllon e na ndihmon t’i përballojmë
me optimizëm e me besim të plotë stuhitë e jetës, edhe duke u nisur nga shoqëria e
Shenjtorëve.
Si mund t’ua shpjegojmë njerëzve të kohëve tona ç’do të thotë
shenjtëri? Mbi të gjitha duhet ta pastrojmë Shenjtërinë nga një lloj hije irreale
që e rrethon nganjëherë. Shenjtorët janë qenie që e jetojnë me fund jetën e tyre.
Janë njerëz vërtetë të realizuar. Janë njerëz të suksesshëm, sepse suksesi nuk është
fama që fitohet në një kampionat futbolli, në realizimin e një filmi, në çfarëdo lloj
pune njerëzore. Suksesi i vërtetë i jetës është shenjtëria; e shenjtëria është
realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj Krishti i quan shenjtorët të Lum. Lumnitë
janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve. Të varfrit shpirt, dmth ata që e kanë
shpirtin të lirë, që nuk kanë etje për para, për pushtet, për sukses, që nuk ëndërrojnë
mite e nuk e duan dhunën; që janë plot mëshirë, që nuk dinë ç’është urrejtja, që e
kanë zemrën të pastër, të papërbaltur, janë njerëz që kanë arritur lumturinë, janë
vërtetë të Lum. Kur flasim për shenjtërinë, duhet ta kemi mirë parasysh se ideali
i shenjtërisë është ideal që e bën njeriun të lumtur, të realizuar, sepse shenjtorët
janë ata që e kanë realizuar plotësisht planin e Zotit e, prej këndej, edhe vetveten
e tyre si njerëz. Nganjëherë e pyes veten cili është më njerëzor se shën Françesku
i Asizit, cili është më burrë se ai e cila është më grua se e Lumja Nënë Terezë. Ndonëse
janë shembuj tepër të lartë, kjo nuk na pengon të ecim në gjurmët e tyre, sepse kjo
është rruga që duhet përshkuar, për ta realizuar plotësisht vetveten. E më kujtohet
një thënie e Leon Bloit, një njeriu të penduar, plot zjarr, i cili një ditë pati thënë:
“Ekziston vetëm një lloj trishtimi: është trishtimi që na pushton kur mendojmë se
nuk jemi të shenjtë e unë dëshiroj që askush të mos e provojë këtë trishtim; dëshiroj
që të gjithë të jenë shenjtorë.