2011-10-31 16:22:44

Benedikti XVI ambasadorit të Brazilit: laiciteti i drejtë duhet të mbrojë përmasën publike të fesë.


Shteti të respektojë përmasën publike të fesë: kështu u shpreh sot Benedikti XVI në audiencën me ambasadorin e ri të Brazilit, Almir Franko de Sá Barbuda, të cilin e priti në Vatikan, për paraqitjen e Letrave kredenciale. Fjalimi i Atit të Shenjtë u përqendrua kryesisht mbi temën e laicitetit të drejtë, me një theks të posaçëm mbi nevojën e mësimit të besimit në shkolla. Papa nënvizoi me forcë se në një shtet, që zbaton parimin e laicitetit të shëndoshë, feja nuk duhet konsideruar si ndjenjë e thjeshtë individuale, që lidhet vetëm me jetën private të njeriut, por si realitet, prania dhe roli i të cilit duhet njohur plotësisht në bashkësinë publike. E kjo, kujtoi Papa, sepse askush nuk mund ta vërë në dyshim kontributin e jashtëzakonshëm, që ka dhënë krishterimi në historinë e vendit. E aq më pak, rolin e Kishës në formimin e shpirtit brazilian me vlerat më të mira, si bujaria, zelli për punë, vëmendja ndaj familjes e mbrojtja e jetës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.
Benedikti XVI kujtoi vizitën e paharrueshme në trojet braziliane më 2007 dhe falënderoi autoritetet civile për gatishmërinë, që treguan në mikpritjen e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Rio-de- Zhanéjro, në vitin 2013.







All the contents on this site are copyrighted ©.