2011-10-29 15:10:33

Shpallet e lume në Madrid, Maria Catalina Irigoyen Echegaray


Dje, në Madrid të Spanjës, u shpall e Lume motër Maria Catalina Irigoyen Echegaray, e njohur si Maria e Dasmës, murgeshë e Kongregatës së Shërbëtoreve të Marisë, Ministre të të Sëmurëve. Mesha u kryesua nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, në katedralen e Shën Marisë la Real de la Almudena. Vetë kardinali, na thotë diçka për të Lumen në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
E Lumja Maria Catalina Irigoyen Echegaray e ka origjinën nga Pamplona, ku lindi më 25 nëntor të vitit 1848, në një familje të shoqërisë së lartë navarreze, e gjashta ndër shtatë fëmijë. Fisnikëria e shtëpisë së saj shoqërohej edhe me fisnikërinë e virtyteve, prandaj, ajo u edukua përmes shembullit të mirë, mirëkuptimit, dashurisë dhe fesë së thellë. Që e vogël, ishte e rrëmbyer nga Eukaristia. Gjatë kohës së lirë shkonte për të vizituar e për t’u shërbyer të sëmurëve në spitalin e Pamplonës dhe qepte rroba për të varfërit. Pasi i vdiqën prindërit, në moshën 22 vjeçare, Maria u bë nëna e familjes, të cilën e drejtoi për dhjetë vjet me dashuri e durim. Kjo përgatitje i shërbeu për impenjimet e saj të mëvonshme. Më 4 tetor të vitit 1878, pesë murgesha të urdhërit të Shërbëtoreve të Marisë, të shoqëruara nga themeluesja, motër Maria Soledad Torres Acosta, shpallur shenjte nga Papa Pali VI më 1970, mbërritën në qytet dhe filluan punën në mesin e të sëmurëve e të të varfërve, duke fituar shpejt mirëdashjen e njerëzve. Maria, 33 vjeçare, pa në to shembullin për t’u ndjekur dhe u bë murgeshë e Shërbëtoreve të Marisë, më 31 dhjetor 1881. Ajo e harroi krejtësisht rangun e saj shoqëror dhe u bë apostulle e dhimbjes njerëzore, duke iu larguar lëvdatave, gjithnjë e qetë, e ëmbël dhe e gëzuar, ndërsa pastronte të sëmurët dhe u bënte atyre shërbimet më të vështira. Pas 20 vjetësh e impenjuan për të mbledhur ofertat jashtë institutit. Diti ta shtrinte dorën me përvujtëri dhe të dorëzonte në kuvend gjithçka arrinte të mblidhte, duke bërë më pas edhe punët më të rënda, që mbeteshin për të. Motër Maria Catalina është pa dyshim shembulli se si ofrohet jeta në bamirësinë e shërbimin për të afërmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.